Lajme

Haradinaj kritikon Kurtin: Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, vazhdon ta quajë kryeministrin Albin Kurti mashtrues. Sipas tij, nën qeverisjen e Kurtit, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij.

Ai thotë se gjuha e Kurtit është “gjuhë e mashtrimit” sepse sipas Haradinajt kryeministri i mashtroi qytetarët edhe para se të vinte në pushtet.

“Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij”, shkruan Haradinaj.

Ai thotë se çmimet e artikujve elementarë janë të papërballueshëm edhe për familjet që kanë 2 apo 3 të punësuar.

Postimi i plotë:

Kurti u kthehet mashtrimeve elektorale!

Gjuha e sotme e Albin Kurtit, është ajo gjuha e tij e mashtrimit e para zgjedhjeve të fundit. Edhe atëherë i mashtronte qytetarët se sa do të lirohet vaji, sheqeri, buka, rryma e se si do të bënte çudi për mirëqenien e popullit, por nën qeverisjen e tij, Kosova u bë një vend i varfër e me njerëz që largohen përditë prej tij.

Edhe sot mashtron se si qeveria e tij e paska pasur pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan, gjë që është mashtrim ordiner. I përmend ndihmat sociale prej 100 eurove si sukses të madh, e nuk i përmend pagat më të ulëta në Ballkan. E përmend subvencionimin e rrymës, e nuk thotë se rritja e çmimit të energjisë është shumëfishuar nën qeverisjen e tij. E përmend përballjen me inflacionin, por nuk thotë se çmimet e artikujve elementar të jetesës janë bërë të papërballueshëm edhe për familjet me nga 2 e 3 të punësuar. 

Fjalët e bukura se shoqëria përparon kur askush nuk mbetet mbrapa, janë në shpërputhje me realitetin që po e jetojmë. Në Kosovë sot të gjithë kanë mbetur mbrapa. Kjo është e vërteta e jo mashtrimet që kryeministri i ka në diskursin e tij, por që ato marrin përmasa neveritëse në prag të zgjedhjeve!

/Shqip.com