Lajme

Haradinaj: Diskutimet për Asociacionin kanë qëllim largimin e pengesave për marrëveshjen

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se diskutimet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e kanë vetëm një qëllim.

Sipas Haradinajt, qëllimi i vetëm i këtyre diskutimeve është që të largohen pengesat e fundit drejtë marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë.

Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë. Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet. Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe. Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Haradinaj tha se vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë kanë qenë obstruksionizëm i planit Evro-Amerikan.

“Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan”.

Tutje, Haradinaj tha se kjo lojë politike duhet të marrë fund.

“Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”.

Më 31 janar, Ambasada e SHBA-së do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM) në Kosovë.

Lexo edhe:

Bëhet thirrje për protestë në ditën kur do të diskutohet për Asociacionin

Në rrjete sociale po qarkullojnë mbishkrime për thirrje për protestë gjatë ditës së marte.

Protesta nuk dihet se nga kush po organizohet, por thuhet se po bëhet për ta kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas njoftimit, protesta do të filloj në sheshin e Prishtinës duke filluar nga ora 12:00.

Lexo edhe:

Chollet dhe Escobar: Është koha për themelimin e Asociacionit

Kurse sot, në një tekst autorial të botuar në Koha.net nga këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thuhet se është koha për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

/Shqip.com