Kulturë

“Hapësirat e përbashkëta” projekti i Autostradës Biennale për komunikim ndëretnik

“Hapësirat e përbashkëta” është projekti nga Autostrada Biennale i cili është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Prizrenit.

Kështu ka bërë të ditur vetë Autostrada Biennale në rrjetin social Facebook.

“Jemi të lumtur të lansojmë projektin e ri nga Autostrada Biennale me titull “Hapësirat e përbashkëta” që mbështetet nga U.S. Embassy Pristina, Kosovo si projekt i Komisionit për Demokraci dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit projekti do të shërbejë për të ftuar njerëzit, duke funksionuar si një zonë grumbullimi dhe komuniteti të mblidhet dhe të kultivohet komunikimi ndëretnik mbi çështjet sociale, kulturore, ekonomike ose mjedisore në nivel lokal.

“Nëpërmjet edukimit, trajnimit në vend dhe ekspozitës së hapur të prodhimit, synimi ynë është të zhvillojmë modele të reja të prodhimit kulturor që fuqizojnë sektorin krijues si motor për zhvillim të qëndrueshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Hapësira me dy studiot e saj, punëtorinë e dizajnit industrial dhe laboratorin teknologjik, së bashku me programin e edukimit duke punësuar ekspertë në fushat e tyre, sipas njoftimit do të rrisin punësimin tek të rinjtë në fushat që lidhen me artin dhe teknologjinë.