Sport Shqiptar

Griesse: Dua të krijojë një ekip të vërtetë që nuk dorëzohet

Federata e Futbollit të Kosovë sot e ka zyrtarizuar trajnerin e ri të kombëtares.

Alain Giresse do të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës në Futboll.

Ai ka deklaruar se Kosova nën drejtimin e tij do të ketë paraqitje të mira.

“Duhet ta zhvillojmë potencialin ekzistues, varësisht prej forcës por edhe anëve tjera të ekipit. Të krijojmë një ekip pa ia caktuar vetes një limit se ku dëshirojmë të shkojmë. Duhet të kërkojmë të kemi paraqitje të mira në secilën ndeshje. Gjithçka është e mundur në futboll dhe kjo është magjia e këtij sporti”, tha fillimisht ai.

Giresse, gjithashtu ka thënë se dëshira e tij është që ta krijojë një ekip, i cili nuk dorëzohet në asnjë ndeshje.

“Dua të krijojë një ekip të vërtetë, kolektive dhe që nuk dorëzohet në çdo ndeshje. Pra, qoftë ndeshje e lehtë apo e vështirë, dua të shoh shpirtin luftarak por gjithmonë duke e respektuar kundërshtarin. Po ashtu, shpresojmë edhe në mbështetjen e tifozëve pasi ata janë lojtari i 12-të në futboll”, tha Giresse.

Kryetari i FFK-së e ka thënë se ka pasur shumë oferta prej trajnerëve të tjerë, por në fund vendosi t’i besoj Giresse.

“Vendosëm për Alain Giresse pasi kemi pasur shumë oferta. Më shumë se 40 oferta i kishim prej trajnerëve që kanë konkurruar për këtë post. Por, në fund kemi zgjedhur opsionin më të mirë dhe më të përshtatshëm për Kosovën”.

Giresse ka nënshkruar kontratë një vjeçare, pra deri në fund të vitit 2023.

Trajneri i ri i kombëtares do të këtë sfidën e parë në muajin mars, kur “Dardanët” do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore kundër Zvicrës dhe Burkina Fasos.

Derisa, testi i vërtet vjen në muajin qershor, kur fillojnë ndeshjet e Ligës së Kombeve./Shqip.com