Lajme

Gomonia godet për vdekje 7-vjeçaren teksa lahej në Himarë

Ilustrim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në plazhin e Potamit në Himarë.

Një e mitur, 7  vjeç është goditur ndërsa lahej në det nga një mjet lundrues, gomone.

Si pasojë e plagëve të marra 7 vjeçarja ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Autori Arjan Tase, oficer policie i cili goditi me skaf një vajzë 7-vjeçare duke e lënë të vdekur në vend në plazhin e Potamit në Himarë është përjashtuar nga policia.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i shprehu ngushëllimet familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare.

“Për Policinë e Shtetit keqardhja dhe përgjegjësia për këtë ngjarje është e dyfishtë, përveç se në nivel institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, si prindër, si familjarë dhe si bashkëqytetarë të këtij vendi”.

Ndërkohë, Drejtor Nano ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja. Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje”, sipas policisë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, raporton TCH.

Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Nano shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje./Shqip.com

Pamje nga vendi i ngjarjes
Pamje nga vendi i ngjarjes