Sport Ndërkombëtar

Golashënuesit më të rinj në historinë e Kupës së Botës

Gazeta prestigjioze sportive italiane “Gazzetta dello Sport” ka publikuar listën e  10 futbollistëve më të rinj në moshë, që kanë shënuar gol në Kupën e Botës. Shtysa ka qenë prej Gavi të Spanjës, që e nisi “Katar 2022” me gol, në një moshë shumë të re, pa mbushur ende 19 vjeç.

“Gavi, futbollisti spanjoll me golin e tij ndaj Kosta Rikës në moshën 18 vjeç e 110 ditë ka hyrë direkt në historinë e kësaj gare.

10. Divock Origi (Belgjikë) – 19 vjeç e 65 ditë

Kur fliste për të, Klopp i pëlqente të kujtonte se Origi ishte para së gjithash një “legjendë e Liverpool”. Por Origi, i cili tashmë është transferuar te Milani, është gjithashtu një legjendë e Belgjikës. Goli i tij i shënuar në Kupën e Botës 2014, kundër Brazilit në moshën 19 vjeç e 65 ditë është i dhjeti më i hershmi në historinë e Botërorit.

9. Julian Green (Shtetet e Bashkuara) – 19 vjeç e 25 ditë

Julian Green, një ish-perspektivë e Bayernit që tani luan në divizionin e dytë gjerman, pati momentin e tij të lavdisë në vitin 2014, duke shënuar golin e vetëm personal në Botëror kundër “Djajve të Kuq” belgë.

8. Aleksander Tirnanic (Jugosllavi) – 18 vjeç e 365 ditë

Një gol në Kupën e Botës së Uruguait 1930 e pozicionon atë të tetin ndër golashënuesit më të hershëm në historinë e Kupës së Botës. Tirnanic shënoi gjithsej 12 gola për vendin e tij dhe shërbeu si trajner i Jugosllavisë në dy raste.

7. Lionel Messi (Argjentinë) – 18 vjeç e 358 ditë

Vështirë se do të habiteni kur ta shihni emrin e tij në këtë listë. Goli i tij i parë në një Botëror daton në Gjermaninë e vitit 2006. Një gol në portën kundër Serbisë dhe Malit të Zi, me ndeshjen që përfundoi 6-0. Ishte e para nga pesë Kupat e Botës së tij, e fundit që do të luante me fanellën me numrin 19, përpara se të merrte 10.

6. Dimitri Sychev (Rusi) – 18 vjeç e 232 ditë

Ai është golashënuesi më i ri i Kupës së Botës 2002, në të cilin shënoi kundër Belgjikës, dhe i gjashti më i riu ndonjëherë. Sychev doli në “pension” në vitin 2019 dhe ata që janë më të vëmendshëm ndaj futbollit rus do ta mbajnë mend nga 12 vitet e tij te Lokomotiv Moska, për të cilën shënoi 73 gola në mbi 200 ndeshje.

5. Nicolae Kovacs (Rumani) – 18 vjeç e 198 ditë

Kovacs është një legjendë e futbollit rumun, aktiv në periudhën para Luftës së Dytë Botërore. Goli i tij i parë në një Kupë Bote erdhi në vitin 1930, kundër Perusë.

4. Michael Owen (Angli) – 18 vjeç e 191 ditë

Ishte viti 1998 dhe Anglia humbi 1-0 kundër Rumanisë. Në minutën e 83-të, Owen shënoi golin e barazimit, i cili sot mbetet edhe goli më i hershëm në një Botëror në historinë e Anglisë. Owen është gjithashtu lojtari i vetëm anglez që ka shënuar në katër gara ndërkombëtare radhazi (Euro 2000, Kupa e Botës 2002, Euro 2004).

3. Pablo Gavi (Spanjë) – 18 vjeç e 110 ditë

Kundër Italisë në “San Siro”, pak më shumë se një vit më parë, ai ishte bërë debutuesi më i ri me fanellën e “La Roja”. Me golin kundër Kosta Rikës ai rinis si golashënuesi i tretë më i ri ndonjëherë në Kupën e Botës. Rruga përpara e talentit të Barcelonës është e ndritshme.

2. Manuel Rosas (Meksikë) – 18 vjeç e 93 ditë

Manuel Rosas është padyshim i dyti në podium. Por nëse e shënoi golin e tij të parë në moshën 18 vjeç e 90 ditë, apo vetëm tri ditë më vonë, është një çështje debati. Jo, nuk është problem i të dhënave të pakta në dispozicion, por i pikëpamjeve. Fakti është se goli i tij i parë në Kupën e Botës u shënua në portën e tij në vitin 1930. Ishte autogoli i parë në historinë e garës. Jo keq, sepse e mori hakun e tij tri ditë më vonë, kur shënoi dy herë ndaj Argjentinës, në atë disfatë që përfundoi 6-3.

1. Pele (Brazil) – 17 vjeç e 239 ditë

“O Rei”, edhe para kohe. Goli i tij i parë erdhi kur nuk ishte as në moshë madhore, në çerekfinalen e Kupës së Botës 1958, kundër Uellsit. Ishte vetëm fillimi. Tashmë në ndeshjen e radhës, tre golat kundër Francës e bënë atë golashënuesin më të ri të një “hat-trick” në historinë e turneut. Pjesa tjetër është e njohur, e artë dhe histori e vetë futbollit.

/Shqip.com