Lajme

Goditet rrjeti i fajdeve në Pejë, arrestohen 17 persona dhe ngrihet pasuria e tyre

Policia e Kosovës / Foto: Visar Loku

Policia e Kosovës ka arrestuar 17 persona në rajonin e Pejës për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit dhe armëmbajtje pa leje.

Gjithsejt janë bastisur 21 lokacione si dhe janë sekuestruar 12 armë dhe 544 fishekë si dhe janë gjetur dëshmi relevante se të arrestuarit kanë kryer veprat që u ngarkohen.

Janë sekuestruar 10 vetura si dhe 45 mijë euro.

Policia nuk ka arritur që të arrestojë njërin nga të dyshuarit.

Prokurorja e çështjes, Sahide Gashi ka deklaruar se të akuzuarve u është ngrirë pasuria e cila kap vlerën  rreth 5 milionë euro.

“Kemi marrë informata se në këtë vepër penale janë të përfshirë mbi 20 persona. Pas hetimeve kemi arrestuar një person dhe në ditët në vijim kemi vazhduar me planifikimin e operacionit ku edhe kemi arrestuar edhe 16 persona të cilëve i’u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve. Prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve.  Deri tani janë ngrirë përkohësisht 5 milionë euro pasuri” ka thënë ajo. /Shqip.com