Lajme

Dita e tretë e gjykimit ndaj Mustafës – Dëshmitari përmendi një emër të çuditshëm që thotë se e ka dëgjuar

Foto: Dëshmitari në rastin ndaj Mustafës

Të ditën e tretë të dëshmisë së tij, dëshmitari i parë në rastin e Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë, ka dhënë detaje të reja, të papërmendura më parë.

Një ndër to ishte emri të cilin e kishte dëgjuar derisa ishte duke u rrahur. “Tabut” është fjala që ai mendon se e ka dëgjuar, emër ky që atij i është dukur i çuditshëm.

Derisa po fliste lidhur me ngjarjen që pretendon se e ka përjetuar, ai thotë se nuk kishte pasur mundësi të shihte se kush ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij meqë ka pasur thes në kokë.

“Ma kanë vnu thesin. Ka qenë natë nuk kam mujt me pa kurgjo… njoni e ka pasë mjekrrën e gjatë. Nuk e di si me përshku se ka qenë natë”, ka thënë ai kur është pyetur nga avokati i Mustafës për të përshkruar pretendimin e tij për rrahje.

“Për emër nuk po më kujtohet. Njëherë një rast e kom ndi ia ka bo njonit me një emër që mu ka dok i çuditshëm “tabut”, ka thënë tutje dëshmitari.

Derisa shpjegonte dhunë brutale ndaj tij, dëshmitari kërkoi nga Dhomat e Specilizuara të kompenzojnë financiarisht pasi thotë se “e ka të pamundur të punojë si pasojë e lëndimeve të marra”.

Ndërkaq, Mustafa ka thënë se “nuk është se nuk respekton trupin gjykues, kur po largohet nga salla”. Por, thotë se “kohëve të fundit i është shkaktuar shumë stres”.

Për atë stres, Mustafa thotë se po i vjen nga shumë faktorë.

Një prej tyre e përmend edhe qëndrimin e gjatë në paraburgim; gati një vit.

Kjo është dita e tretë që ky dëshmitar po dëshmon në rastin ndaj Mustafës

Ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, vazhdoi edhe sot procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale, duke shënuar ditën e tretë të gjykimit ndaj tij. /Shqip.com