Lajme

GJKKO la të lirë Berishën, SPAK: Do ta ankimojmë vendimin!

Prokuroria e Posaçme është shprehur se do të ankimojë vendimin e GJKKO për revokimin e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ ndaj, Sali Berisha.

Në një reagim për News24, SPAK gjithashtu ka deklaruar se seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon.

“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.

Kujtojmë se Berisha prej datës 30 dhjetor të vitit 2023 ndodhej në arrest shtëpie.

“Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”, thuhej në vendimin e GJKKO-së të datës 30 Dhjetor 2023.

Sali Berisha është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për dosjen “Partizani”.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar, duke e cilësuar vendimin për vendosjen e tyre nën arrest shtëpie si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

/Shqip.com