Lajme

GJKKO e thirri për ta pyetur, Berisha tregon kushtin që ka për të shkuar para gjykatës

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i gatshëm të shkojë në seancën e pyetjes nga GJKKO, por jo në shkelje të Kushtetutës, sipas tij.

Gjatë konferencës për shtyp nga selia e PD, Berisha tha se ka një kusht për të shkuar para GJKKO.

“Është ndryshe kjo. Nuk është se unë nuk e pranoj. E deklarova më parë dhe e deklaroj me sinqeritetin më të madh, se unë sa herë të thirrem do të shkojë. Të heq gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a do të shkoj unë apo jo. Por vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga parlamenti është përdhosje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes një vendim, unë nuk mund ti lejoj vetes të shkel kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në parlament, Sali Berisha e voton. Unë jam për barazi të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. E kam dëshmuar që nuk kam qenë për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, drogës”, u shpreh Berisha.

Ai ripërsëriti se nuk e njeh vendimin e gjykatës që i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Sipas Berishës, SPAK, ose siç e quan ai SKAP, ka zbatuar urdhrat e Ramës sepse e njeh atë mbi Kushtetutën.

Sidoqoftë nëse procesi kalon në parlament, Berisha thotë se nuk do të refuzojë të bëjë gjithçka kërkon ligji dhe Kushtetuta.

/Shqip.com