Gjini tregon se me cilat parti ka arritur koalicion, Kusari-Lila thotë se “logarisim në vota të qytetarëve”

Gara për Komunën e Gjakovës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që mbahet të dielën e 14 nëntorit, zhvillohet mes kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari Lila dhe kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
Ky i fundit të enjten mbrëma njoftoi se ka arritur marrëveshje për koalicion për të udhëhequr me Gjakovën me tri parti politike: Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, shtoi se deri tani nuk ka formatizuar marrëveshje me asnjërën nga këto subjekte.
“Kam pasur bisedime shumë të hapura, të pastra me PSHDK-në, PDK-në e LDK-në. Ekziston një dakordim serioz që të shkojmë bashkë, por nuk kemi biseduar për detaje, nuk kemi biseduar për drejtori, por ka dakordim që të shkojmë bashkë. Me Lidhjen Demokratike ende nuk kemi dakordim, por ka bashkëpunim, gjasat janë shumë reale”, u shpreh Gjini në Klan Kosova.

Në anën tjetër, Kusari-Lila tha se deri tani nuk kanë formalizuar asnjë koalicion për bashkëqeverisje, por se kanë zhvilluar takime me disa subjekte.
“Deri më tani koalicione zyrtare nuk ka pasur, llogarisim në vota të qytetarëve natyrisht edhe pse ne jemi fokusuar në të gjitha strukturat gjeografikisht dhe në aspektin shoqëror të shtrira në komunën e Gjakovës. Është e vërtetë që kemi pasur takime, por nuk ka pasur formalizim në nivel të bashkëqeverisjes”, pohoi ajo.
E bindur në fitore me 14 nëntor, Kusari-Lila shtoi se pas zgjedhjeve do të ketë marrëveshje për qeverisje në asamble komunale./SHQIP.com
