Lajme

Gjermania mbështet qëndrimin e BE-së

Jorn Rohde - Ambasador i Gjermanisë në Kosovë

Shteti i Gjermanisë i ka dhënë mbështetje qëndrimit të Bashkimit Evropian lidhur me dialogun dhe mos arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së sotme.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shpërndarë në llogarinë e tij në Tëitter deklarimin e Peter Stanos lidhur me dialogun Kosovë Serbi.

“Do t’i informojë shtetet anëtare të BE’së, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë për obligimet e tyre ligjore ndërkombëtare, dhe kjo shkon në veçanti për Kosovën. Kjo dërgon mesazh politik tejet negativ”, ka thënë Borrell, deklaratë kjo e publikuar nga zëdhënësi i BE-së Peter Stano dhe e rishpërndarë nga Rohde.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurti është shprehur se është gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë në Bruksel për të biseduar, porse bisedimet duhet ta kenë në qendër njohjen e ndërsjellë.

“Unë jam i gatshëm të vijë këtu, të zhvillojë takime, gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë, marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por nuk mund të shndërrohemi në lider shtetërorë që merren vetëm me çështje të targave e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj jemi në këtë situatë në të cilën ndahemi tani”, tha Kurti.

Kurti më tutje është shprehur se për pasojë, pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale e tri trilaterale, nuk kemi një marrëveshje.

/Shqip.com