Gjermania dhe Britania me sanksione ndaj Rusisë
Gjermania nuk do funksionalizojë gazsjellësin “Nord Stream 2” pasi Rusia pushtoi pjesë të territorit të Ukrainës.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka njoftuar publikun se vendi i tij ka pezulluar vënien në punë të gazsjellësit ruso-gjerman.
“Si përgjigje ndaj aktiviteteve ruse në Ukrainë, qeveria federale po e ndalon projektin e gazsjellësit Nord Stream 2. Pa këtë certifikim, Nord Stream 2 nuk mund të fillojë të funksionojë”, tha Scholz.
Ndërkaq Britania e Madhe ka vendosur sanksione ndaj pesë bankave ruse si dhe ka sanksionuar individë të pasur.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson bëri të ditur se në listën e sanksioneve janë banka Rossiya, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Black Sea Bank.
Johnson ka thënë se ka sanksionuar gjithashtu tre persona të pasur: Gennady Timchenko, Boris Rotenberg dhe Igor Rotenberg.
Bota është duke dënuar pushtimin e Ukrainës Lindore nga Rusia e cila i ka vendosur trupat ushtarake në Donetzk dhe Luhansk pasi këto dy regjione i shpalli si shtete të pavarura. /Shqip.com