Lajme

Gërvalla takon deputetë italianë, përmend sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me deputetë nga komisioni i jashtëm parlamentar i Italisë.

Ndër temat e folura me kryetarin e këtij komisioni, Giuliuo Tremonti, kanë qenë siguria, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik i Kosovës.

Gjithashtu Gërvalla para ligjvënësve italianë ka folur edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku i vrarë kishte mbetur rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ministrja Gërvalla e njoftoi Kryetarin Tremonti dhe deputetët edhe për aktin e agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë dhe ritheksoi nevojën imediate për ndërmarrjen e veprimeve kundër atyre që në vazhdimësi po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Progresi i arritur në sundim të ligjit, demokratizim, avancim të të drejtave të njeriut, në veçanti të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, bashkëpunimi rajonal në siguri, zhvillim ekonomik dhe integrim euroatlantik, ishin disa nga temat e takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla pati me Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme nga Dhoma e Deputetëve në Itali, z. Giulio Tremonti.

Ministrja Gërvalla e njoftoi Kryetarin Tremonti dhe deputetët edhe për aktin e agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë dhe ritheksoi nevojën imediate për ndermarrjen e veprimeve kundër atyre që në vazhdimësi po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Deputetët italianë shprehen interesimin e tyre rreth proceseve nepër të cilat po kalon Kosova, sfidat dhe vizionin e qeverisë së Kosovës për të ardhmen e saj integruese.

/Shqip.com