Lajme

Gërvalla takohet me ministrin malazez të Mbrojtjes, flasin për dialogun Kosovë- Serbi dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz me ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Rashko Konjeviq.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz ka pritur sot gjatë ditës në takim ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Rashko Konjeviq.

Siç bëhet e ditur në një njoftim për media ajo ka njoftuar Konjeviq rreth aspiratave euro-atlantike të Republikës së Kosovës dhe kërkoi ndihmën e Malit të Zi lidhur me aplikimin e Republikës së Kosovës në programin “Partneriteti për Paqe” (PfP) dhe Kartën e Adriatikut.

“Ministrja Gërvalla-Schwarz në takim e theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në të gjitha bashkëpunimet rajonale që ndërlidhen me siguri.

Ajo e falënderoi Zëvendëskryeministrin njëherësh ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Rashko Konjeviq për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, gjë që sipas saj ka ndikim të shumanshëm në të mirën e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë mes dy vendeve mike”, thuhet në njoftim.

Gërvalla-Schwarz po ashtu e njoftoi ministrin Konjeviq për bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Në kontekstin e situatës së sigurisë në rajon dhe më tej ministrja Gërvalla-Schwarz theksoi se duhet vëzhguar me kujdes ndikimin e agresionit rus në Ukrainë tek shtetet e Ballkanit Perëndimor./SHQIP.com