Lajme Ballkan

Gazetarët në Shqipëri bëjnë thirrje për bojkot të konferencave të Ramës

Shumë gazetarë nga Shqipëria kanë protestuar sot duke bërë thirrje të bojkotohen konferencat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo protestë erdhi, në shenjë solidarizimi ndaj gazetarit të Shqipërisë Kelvin Muka, pasi kryeministri Edi Rama i ndaloi të marrë pjesë në konferencat e tij për shtyp në tre muajt e ardhshëm, raporton Radio Evropa e Lirë.

Rama këtë vendim e mori pasi gazetari i bëri një pyetje në konferencë, të cilës kryeministri nuk iu përgjigj, por tha se “do ta çojë në riedukim për 3 muaj” gazetarin, pasi sipas tij, pyetja që ai bëri nuk ishte etike.

Gjatë protestës, udhëheqesi i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, tha se do të kërkojë një shkresë zyrtare nga Kryeministria për përjashtimin e gazetarit nga konferenca dhe më pas gazetarët do shohin si opsion dhe bojkotin e konferencave.

“Unioni i Gazetarëve nesër do të paraqesë një kërkesë zyrtare për të zbardhur fjalën e Kryeministrit në Konferencë. Sepse e shkruara mbetet. Agjencia për Informim pranë kryeministrit, të na japë një letër zyrtare ku përjashton zyrtarisht reporterët nga pjesëmarrja në konferencat”, tha Çipa.

Po ashtu në këtë protestë është bërë thirrje që pronarët e mediave që t’i lejojnë gazetarët të bojkotojnë konferencat për shtyp që organizohen nga kryeministri.

Raportet e lirisë së mediave për vitin 2021 e kanë radhitur Shqipërinë në mesin e vendeve problematike sa i përket lirisë së shtypit./Shqip.com