Lajme

G7 paralajmëron se lufta Rusi-Ukrainë është duke nxitur krizën globale të ushqimit

Grupi i Shtatë ekonomive kryesore kanë paralajmëruar se lufta në Ukrainë po nxit një krizë globale ushqimore dhe energjitike që kërcënon vendet e varfra dhe nevojiten masa urgjente për të zhbllokuar rezervat e drithit që Rusia po i pengon të largohen nga Ukraina.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila priti një takim të diplomatëve të lartë të G7, tha të shtunën se lufta ishte kthyer në një “krizë globale”, shkuran Aljazeera.

Baerbock tha se deri në 50 milionë njerëz, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, do të përballen me urinë në muajt e ardhshëm nëse nuk gjenden mënyra për të çliruar grurin ukrainas, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të furnizimit në mbarë botën.

Në deklaratat e lëshuara në fund të takimit tre-ditor në bregun gjerman të Detit Baltik, G7 u zotua të sigurojë ndihmë të mëtejshme humanitare për më të rrezikuarit.

“Lufta e agresionit të Rusisë ka gjeneruar një nga krizat më të rënda të ushqimit dhe energjisë në historinë e kohëve të fundit, e cila tani kërcënon ata më të rrezikuarit në të gjithë globin”, tha grupi.

Një ide e diskutuar në takimin e G7 ishte nëse asetet shtetërore ruse të ngrira jashtë mund të përdoren për të paguar për rindërtimin e Ukrainës./Shqip.com