Lajme

FSK e gatshme të ndihmojë Marokun në operacionet e kërkim-shpëtimit

FSK
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës, është shprehur e gatshme për të ndihmuar Marokun në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas goditjes nga një tërmet 6.8 shkallë të Rihterit.

Si pasojë e tërmetit deri më tani mbi dy mijë persona kanë humbur jetën.

Në një postim në Facebook, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur keqardhje për popullin marokien.

“Po e përcjellim me shumë vëmendje dhe keqardhje situatën në Marok të shkaktuar si pasojë e tërmetit të fuqishëm me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit. Në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin marokien lutjet tona janë me ta. Ministrit Loudiyi i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet tona të specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura”, shkroi ai.

Ministri Maqedonci uron që të mos ketë rritje të numrit të viktimave.

“Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë”, shtoi ai.

Numri i të vdekurve nga tërmeti i së shtunës në Marok ka arritur në 2012 dhe rreth 2059 të tjerë u plagosën – nga të cilët, 1,404 ishin në gjendje kritike.

Tërmeti me magnitudë 6.8 goditi Marokun pak pas orës 23:00 (22:00 GMT) të premten mbrëma.

Tërmeti është ndjerë në të gjithë vendin – veçanërisht në pikën turistike të Marrakeshit dhe fshatrat e largëta në malet e Atlasit të Lartë aty pranë.

/Shqip.com