Sport Ndërkombëtar

Franca fiton me spektakël

Kampioni aktual botëror, Franca, e ka nisur në mënyrën më të mirë mbrojtjen e titullit.

“Gjelat” në ndeshjen e parë kanë fituar ndaj Australisë me rezultat bindës 4:1.

Një ndeshje e cila nuk nisi mirë për francezët, kjo për faktin se Australia realizoi fillimisht me Goodwin pas 9 minutash lojë. Një moment i cili detyroi edhe trajnerin Deschamps të kryente zëvendësimin e parë pas dëmtimit të Lucas Hernandez.

Franca barazoi në minutën e 27-të me autor të golit, Adrien Rabiot.

Mesfushori ishte protagonist absolut edhe në golin e dytë, të përmbysjes në minutën e 32-të, kur asistoi për Olivier Giroud.

Me shifra 2-1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta foli e gjitha për francezët.

Mbappe shënoi golin e tretë në minutën e 68-të, ndërsa sulmuesi dhuroi edhe pasimin final në golin e katërt me autorë Giroud.

Sulmuesi i Milanit shënoi dhe festoi me lot gëzimi, pasi për të ishte goli numër 51 me Francën në ndeshjen numër 115-të, duke barazuar kështu legjendën Thiery Henry në listën e golashënuesve.

Kampionët e Botës e nisin mirë këtë edicion të Kupës së Botës, Katar 2022 dhe marrin kryesimin e grupit me pikë të plota, ndërsa pas tyre renditet Danimarka dhe Tunizia me 1 pikë, ndërsa Australia pozicionohet në vendin e fundit pa pikë.

/Shqip.com