Ekonomi

Fitoni para nga rrjetet dhe sociale dhe kriptovalutat? Murati kërkon t’i deklaroni në ATK

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se qytetarët që fitojnë mjete monetare nga burime të ndryshme dhe për të cilin fitim nuk paguhet tatim, duhet ta plotësojnë një formular elektronik, sipas ligjit.

Në një konferencë për media, Murati tha se fitimet e tilla përfshijnë qiranë, fitimet kapitale, burimet nga jashtë e të tjera.

Në fitimet e tilla përfshihet edhe shitja e kriptovalutave.

“Kur qytetarët do t’i shesin kriptovalutat do të duhet që këtë ta deklarojnë në formularin i cili do të publikohet nga Ministria dhe ATK-ja”.

” Nëse dikush ka investuar në kriptovaluta në vlerë 10 mijë euro dhe pas një kohe është rritë vlera e tyre I ka shitë të njëjtat për 20 mijë euro atëherë fitimi kapital është diferenca dhe duhet të shënohet te rubrika 16-të te fitimi kapital në mënyrë që të përllogaritet vlera tatimore që përafërsisht do duhej të ishte rreth 10 për qind”, ka sqaruar Murati.

ATK-ja

Të ardhurat tjera për të cilat kërkohet ky deklarim mund të jenë nga puna “freelance”, të ardhurat nga YouTube apo rrjetet tjera sociale.

“ Të ardhurat nga puna “freelancer”. Kemi shumë të rinjë që punojnë dizajner, programmer apo profesione tjera por që nuk e dinë se a duhet të paguajnë tatim dhe ku duhet ta paguajnë. Kjo është për të sqaruar se edhe ata duhet t’I deklarojnë të ardhurat e tyre dhe ta paguajnë atë tatim që të mos kenë telashe gjatë pagesës së tatimit.

Të ardhurat nga YouTube, rrjetet sociale, Google AdSense nga video të ndryshme prat ë gjitha këto janë të ardhura që duhet të shënohen në deklaratën personale e pastaj edhe të barazohemi me ATK-në”, tha Murati.

” Dua të sqaroj se nuk ka të bëjë me ndryshim të ligjit. Ky ligj ka ekzistuar në të kaluarën vetëm se nuk është zbatuar por as nuk ka pas informim të duhur për qytetarët dhe taksapaguesit për ta plotësuar këtë formular për deklarim”.

Për ta bërë më të lehtë procesin e deklarimit, ai është bërë në kuadër të platformës “ Edi” ( electronic declaration platform) që është në kuadër të ATK-së./Shqip.com