Kulturë

Fillojnë restaurimet në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, në Prizren

Ka filluar zbatimi i projektit për restaurimin dhe rehabilitimin e ndërtesës së Qendrës Kulturore Hebraike – Sinagoga në Prizren.

Të dilën, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, ambasadorët e Izraelit, Gjermanisë, OSBE-së, zv. ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, zyrtarët e BE-së në Kosovë, bënë inaugurimin e fillimit të punëve restauruese të ndërtesës së trashëgimisë kulturore, ku do të funksionojë Qendra Kulturore Hebraike në Kosovë dhe Sinangoga.

Sipas njoftimit të MKRS-së, Qendra Kulturore Hebraike do të vendoset në ndërtesën e ish Hotel Shumadija, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Ndërkaq, projekti i revitalizimit është hartuar nga Komuniteti Hebraik në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

“Paralelisht me ndërhyrjet revitalizuese, jemi në koordinim me Komunitetin Hebraik në Kosovë dhe shtetin e Izraelit, për të ndërmarrë hapat për zhvillimin e projektit të hulumtimit për ndërtimin e narrativës së ekspozitës mbi historinë e Komunitetit Hebraik në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ekspozita do të prezantohet në hapësirat e kësaj Qendre.

/Shqip.com