FFK prezanton trajnerin e ri të Përfaqësueses së Kosovës
Franco Foda është trajneri i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Ai është prezantuar të shtunën nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Foda merr drejtimin e Kosovës pasi ishte papunë për gati dy vjet.
Së fundmi drejtoi Zuerichun për një periudhë të shkurtë.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Foda ka nënshkruar kontratë dyvjeçare.
Ademi tutje ka shtuar se nga trajneri gjerman pret rezultate të rëndësishme. Ka theksuar se ai do t’i ketë duart e lira për të vendosur.
“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futbollin tonë s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendour, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.
Ndërsa, Foda është shprehur optimist se do të ketë sukses me Kosovën.
“Është ditë speciale për njerëzit këtu në Kosovë, edhe për mua. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Po shikoj përpara për sfidën e re dhe jam optimist se do të jemi suksesshëm bashkarisht. Është i bindur se bashkë me njerëzit, bashkë me Federatën do t’ia dalë. Qëllimi im është të hy sa më shpejt në rrjedhje të ekipit. Po përgatitemi për ndeshjet e marsit. Pas këtyre ndeshjeve, do të kërkojmë kundërshtar më të përshtatshëm”, ka thënë Foda në konferencën e prezantimit.
Kohën më të madhe si trajner, 57-vjeçari e kaloi në Austri. Drejtoi për shumë vjet Sturm Grazin, me të cilët fitoi një herë titullin e kampionit dhe Kupën e Austrisë.
Për një vjet e udhëhoqi edhe Kaisterslauternin në Gjermani.
Nga viti 2018 deri më 2022, ishte trajneri i Përfaqësueses së Austrisë, të cilën arriti ta kualifikonte në Evropianin e vitit 2020 dhe kaloi fazën e grupeve.
Foda pritet të debutojë te Kosova në ndeshjet miqësore të marsit. Më 22 mars, Kosova do të luajë ndaj Armenisë në Yerevan, ndërsa më 26 mars përballet me Hungarinë në Budapest.
/Shqip.com