FFK kërcënon me kthim të menaxhimit të stadiumit tek Komuna e Prishtinës

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar pas një numri të madh të kritikave për gjendjen e rëndë të fushës së futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova fitoi ndeshjen ndaj Izraelit.
Shtëpia e futbollit ka sqaruar se stadiumi nuk është pronë e FFK-së dhe se kjo situatë ka sjellë probleme të mëdha financiare për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tij.
“FFK e ka marrë nën menaxhim stadiumin në kushte të mjerueshme, atëherë kur askush as nga institucionet e as nga organizatat sportive nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të marrë nën menaxhim këtë impiant sportiv. Jemi të vetëdijshëm se në situata të tilla më e lehta është hedhja e fajit tek tjetri, por nuk duhet harruar faktin se në çfarë gjendje është marrë stadiumi. Punëtorët aty kanë qenë të angazhuar nga komuna, por nuk janë paguar me muaj të tërë përderisa FFK ka vendosur ta marrë përgjegjësinë edhe për pjesën e punëtorëve të angazhuar”, thuhet në reagim.
FFK-ja tha gjithashtu ka thënë se nuk kanë pranuar asnjëherë ndonjë subvencion për mirëmbajtjen e fushës nga institucionet, si dhe u shprehën të gatshëm për t’ia kthyer menaxhimin komunës nëse neglizhenca e institucioneve vazhdon.
/Shqip.com