Lajme

Escobar: Detajet e planit franko-gjerman pritet të bëhen publike shpejt

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimorë ka thënë se detajet e planit franko-gjerman pritet të bëhen shumë shpejtë publike.

Gabriel Escobar, thotë se pas diskutimeve intensive me të dy qeveritë, ai ka besim se do të fillojë angazhimi me publikun për të kuptuar thelbin e propozimit, raporton Zëri i Amerikës.

“Kjo është një nismë e Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim atë. Ne mbështesim çdo lëvizje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pasi është e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Është e rëndësishme për stabilitetin e evropianëve në një kohë kur po përballemi me kriza si ajo në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Evropës. Sa i përket detajeve, dua të them se ato po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së, të cilin ndonëse e mbështesim, ne nuk jemi palë në të. Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit” thotë Escobar.

Më tutje zyrtari amerikan shpreson që Qeveria e Kosovës të marrë parasysh kërkesën e SHBA-ve që marrëveshja për targat me Serbinë të shtyhet për 10 muaj.

“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak” thotë ai.

Escobar thotë që Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Sipas tij  që të ndodhë kjo, ai pret që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur, ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka kërkuar nga Kosova që ta përkrah propozimin ‘franko-gjerman’.

I pyetur rreth propozimit franko-gjerman, kryeministri Kurti kishte thënë se nuk ka propozim të tillë për marrëveshje finale.

/Shqip.com