Erdogan-Ramës: Pastroni mbetjet e FETO-s, duan të hedhin hije në marrëdhëniet tona!
I mbërritur në Turqi në një takim të nivelit të lartë, Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i shtetit shqiptar u prit nga Presidenti Turk Rexhep Tayip Erdogan në kompleksin presidencial në Ankara.
Një takim kokë më kokë u zhvillua me Erdogan dhe Ramës në zyrën e presidentit turk. Në konferencën e përbashkët, presidenti turk tha se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ngrihen në një tjetër nivel ku objektivi i volumi tregtar të shkojë 2 miliard $.
“Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë, objektivi ynë është ta çojmë në 2 miliardë dollarë. Kam besim se me përpjekjet e sektorit tonë privat do të arrijmë këtë shifër në një kohë shumë të shkurtër. Turqia është një prej pesë investitorëve të huaj më të mëdhenj të Shqipërisë, me një investim që arrin deri në 3.5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë duke mbështetur ekonominë vendase”- tha Erdogan.
Ky është basti i dytë me shqiptarët i tha Kryeministri Edi Rama presidentit, pasi fitoi të parin, atë për spitalin Memorial në Fier.
“Ju e keni fituar bastin me shqiptarët fjalën tuaj e dinë, u tha u bë. Ai spital ishte investimi i parë në botë me 3 mln supervizorë ditë për ditë. Edhe ju e fituat bastin me shqiptarët. Më e rëndësishme është se sot ai spital është modeli i autonomisë spitalore që është reformë e sistemit tonë shëndetësor dhe që ne jemi besimplotë që e çon shërbimin në nivel tjetër dhe shpërblimin e drejtë të mjekëve në një nivel tjetër. Ministri juaj do të nxitë investimet në fushën e turizmit ku Turqia ka krijuar nivel ekselencë dhe këto investimet deri tani janë 3.7 mln euro. Volumi tregtar me çdo kusht duhet ta ngremë në mbi 1 mld euro. Këtu mund të bëjmë një bast dhe t’ia dilnim kësaj por bastet në Turqi janë të ndaluara. Faleminderit për lejet e drejtimit që ju i miratuat dhe shqiptarët të lëvizin lirisht me lejet e tyre. Na i miratuat pas Gjermanisë por e mirëkuptojmë vonesën”- u shpreh Rama.
Ankaraja këmbëngul në betejën që ajo e quan ‘pastrimi i mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
“Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”- theksoi Erdogan.
“Mezi presim që të materializohet edhe projekti që do të sjellë Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë, një xhevahir i ekselencës turke në arsim, që do t’i japë mundësi studentëve shqiptarë, por edhe studentë të tjerë në rajon, që të mund të aksesojnë një universitet të një niveli botëror”- tha kryeministri shqiptar.
Rama ka biseduar me Erdogan edhe për samitin në ndihmë të Ukrainës që mbahet në Tiranë në 28 shkurt me praninë e presidentit Volodymyr Zelensky, ndërsa kanë ndarë qëndrime të përbashkëta për konfliktin në Gaza.
“Unë e kam ndarë me presidentin, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë, së bashku me 5 vendet e tjera, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë dhe Egjiptin. Natyrisht nëse ne ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e dy shteteve kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe pa diskutim që një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci dhe për rikrijimin e një besimi pas masakrës së ndodhur ndaj njerëzve të pafajshëm”- vijoi Rama.
6 marrëveshje dhe memorandume u firmosën për turizmin dhe mjedisin për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, marrëveshje mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana, marrëveshje ushtarake, memorandum në fushat e medias për komunikimin dhe informimin publik si dhe një protokoll bashkëpunim mes korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar.
Marrëveshje dhe Memorandumet mes Shqipërisë dhe Turqisë
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.
- Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.
- Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
- Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.
- Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar.
/Shqip.com