Lajme Botë

Erdogan i thotë Suedisë të mos presë mbështetje për ofertën e NATO-s

Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan
Presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan

Suedia nuk duhet të presë që Turqia të mbështesë ofertën e saj për anëtarësim në NATO.

Kështu ka deklaruar presidenti turk Tajip Erdogan të hënën, disa ditë pasi një kopje e Kuranit u dogj në një protestë në Stokholm.

Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën – por ka nevojë që Turqia, tashmë një anëtare, të miratojë.

“Suedia nuk duhet të presë mbështetje nga ne për NATO-n. Është e qartë se ata që shkaktuan një turp të tillë para ambasadës së vendit tonë nuk mund të presin më asnjë dashamirësi nga ne për aplikimin e tyre”, thotë Erdogan.

Protestës së së shtunës – por jo djegia e vetë librit – iu dha miratimi paraprak nga autoritetet suedeze.

Erdogan dënoi protestën e fundit, të kryer nga një politikan i ekstremit të djathtë nga një parti daneze, si blasfemi që nuk duhet mbrojtur nga liria e fjalës.

Edhe qeveritë suedeze kritikuan protestën.

“Suedia ka një liri të gjerë të shprehjes, por kjo nuk do të thotë që qeveria suedeze, ose unë, mbështesim mendimet e shprehura,” tha të shtunën Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom.

Duke iu përgjigjur komenteve të Erdoganit të hënën, Billstrom tha se donte të kuptonte saktësisht se çfarë tha lideri turk përpara se të komentonte.

“Suedia do të respektojë marrëveshjen që ekziston midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO”, shtoi ai.

Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por protestat e fundit kanë rritur tensionet, raporton BBC.

/Shqip.com