Kulturë

“Ëndrrat dhe dashuritë e një jete” vjen në shqip nga botuesi “Pegi”

Romani me titull “Ëndrrat dhe dashuritë e një jete” i autorit M. Karagacis vjen në shqip nën shqipërimin e Romeo Çollakut. Libri është botuar nga “Pegi”, më seli në Tiranë.

“Ëndrrat dhe dashuritë e një jete” është një ndër romanet më të njohura dhe emocionuese të letërsisë greke moderne. Shpesh, për nga struktura e rrëfimit dhe tematike që trajton, është krahasuar me Getsbin e madh të shkrimtarit amerikan F. S. Fitzgerald, raportojnë nga shtëpia e librit.

Vasili Karloviç Junkerman është pinjoll i një familjeje të pasur finlandeze, i kredhur ne botën e qejfit, alkoolit, kumarit, mashtrimeve dhe zhvatjeve, i cili, për shkak të revolucionit rus e të tjera ngjarjeve të turbullta, përfundon në brigjet e Pierut.

Ashtu si Xhej Getsbi, Vasili Junkerman arrin të fitojë pushtet dhe pasuri përmes veprimtarive të dyshimta. Punësohet në një bankë dhe shpejt bëhet një prej krerëve të saj më të lartë, duke siguruar kështu jo vetëm një post qendror, por edhe mundësinë për mirëqenie të jashtëzakonshme.

Në jetën e tij hyjnë e dalin shumë gra, të bukura, joshëse, përfituese, por vetëm njëra e përfshin në një pasion marramendës, zjarri i të cilit do ta shenjojë përgjithmonë.

Sidoqoftë, ai do të mbetet i pazoti për të kuptuar gruan që e dashuron e, kësisoj, thellësisht i papërmbushur dhe i dëshpëruar.

/Shqip.com