Art Jetese

Ëmbëlsirë me kakao dhe portokall

Përbërësit për tavë me diametër 24 cm:

125 g gjalpë në temperaturë ambienti

150 g sheqer

2 vezë

200 g çokollatë fondente

1 lugë e vogël lëkurë portokalli të grirë

220 g miell

2 lugë të mëdha me kakao të hidhur

1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g)

250 ml qumësht

Për kremin me çokollatë që do të hedhim sipër, pasi torta të piqet:

250 g çokollatë e zezë

375 ml pana për ëmbëlsira

Përgatitja:

Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C.

Shkrijmë në banjëmari çokollatën me dy lugë qumësht, ( e marrim nga sasia qe kemi) e heqim dhe e lëmë të vaket.

Në robot ose me rrahësen elektrike të vezëve, rrahim sheqerin me gjalpin derisa të bëhen si krem, shtojmë vezët një nga një (pasi të jetë përzier e para, shtojmë të dytën), shtojmë çokollatën e shkrirë dhe lëkurën e portokallit të grirë.

Në një tas hedhim me sitë miellin, kakaon dhe sodën. I përziejmë me spatul dhe i shtojmë pjesë-pjesë me lugë, duke hedhur herë nga kjo masa dhe herë qumësht në tasin ku kemi vezët me përbërësit e tjerë.

E hedhim brumin në një tavë të lyer më parë me gjalpë e kakao. E pjekim për rreth 40 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. E heqim nga tava pas 10 minutash dhe e lëmë të ftohet mbi një grilë, që të mos krijojë lagështirë nga poshtë, shkruan Living.

Ndërkohë, përgatisim kremin me çokollatë: në një tenxhere të vogël hedhim panën, e vëmë në zjarr dhe kur të marrë valë e heqim nga zjarri. Shtojmë menjëherë çokollatën, të cilën e kemi grirë në copa të mëdha. E përziejmë mirë me lugë druri derisa të kemi një krem homogjen. E lëmë të ftohet në temperaturë ambienti dhe më pas e lëmë në frigorifer sa të trashet, për ta lyer tortën si krem me të.