Art Jetese

Ëmbëlsira shëndetlie me mjaltë dhe arra

Ëmbëlsirat mund të jenë pothuajse në dëshirën e secilit, qoftë për mëngjes apo edhe pasdite.

Por në ditët dinamike si në kohët e sotme shpesh nuk premton koha për përgatitjen e tyre në shtëpi.

Mirëpo, një ëmbëlsirë mund të jetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme, duke marrë kështu më pak se 15 minuta kohë për t’u përgatitur dhe rreth 45 minuta kohë për t’u pjekur.

Ëmbëlsira Shëndetlie me mjaltë dhe arra.

Përbërësit për tavë me diametër 26 cm: Si masë përdorim një gotë që merr 200 ml ujë • 3 vezë të vogla ose 2 të mëdha • 1 gotë sheqer jo plot (2-3 gisht poshtë buzës së gotës) • 100 g gjalpë i tretur, i vakët • 3 lugë të mëdha mjaltë • 300 g arra të qëruara në thërrime (të peshuara pa lëvozhgë) • 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g) • 1 bustinë vanilje • 1 majë thike kripë • 3 gota miell • 1 e verdhë veze për ta lyer sipër.

Për shërbetin: • 800 g sheqer • 600 ml ujë

PËRGATITJA: Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. Në një tas, me rrahësen e vezëve me dorë përziejmë vezët me sheqerin për 2 minuta, shtojmë gjalpin, mjaltin, kripën, miellin, vaniljen, sodën me sitë, arrat dhe e punojmë brumin me lugë druri. Hedhim brumin në tavën e lyer me pak gjalpë dhe e nivelojmë me duar të lagura ose me kurrizin e një luge të lagur. E lyejmë sipër me të verdhën e vezës, të rrahur më parë me pirun. E pjekim në furrë për 40-45 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. Kur të ketë marrë ngjyrë në sipërfaqe, e mbulojmë me letër alumini, pasi koha e pjekjes është e gjatë dhe mund të digjet. Sherbeti: në një tenxhere ziejmë sheqerin me ujin duke i përzier vazhdimisht derisa të marrin valë. E heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet. E hedhim sherbetin të ftohtë mbi ëmbëlsirën e ngrohtë, pasi këtë të fundit ta kemi prerë në copa katrore ose sipas dëshirës.