Ekzekutimi me snajper në Vlorë, BMW-ja e vjedhur në Shkodër, policia liron të arrestuarit

Makina e tipit “BMW” dhe targa e përdorur në vrasjen mafioze të Gëzim Sinomati janë marrë në Shkodër.
Burime për Shqip.com saktësojnë se sipas verifikimeve të realizuara rezulton se vjedhja e tyre ka ndodhur në muajin tetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë gjatë aksioneve të RENEA-s në Vlorë është arrestuar për mbajtje pa leje të armëve Sino Llanaj dhe Armando Beqiraj. Por, bëhet me dije se arrestimi i tyre nuk kanë lidhje me vrasjen e Gëzim Sinomatit.
Policia në Vlorë i është vënë mbrapa disa automjeteve, pasi ndonjëra prej tyre mund të jetë përdorur për të larguar nga lagjja “5 Maji” 3 autorët e ekzekutimit të 23-vjeçarit pasi u shkrumbua makina “BMW” pak minuta pas krimit.
Ndërkohë në Vlorë tashmë prej 5 ditësh është instaluar “ajka” e Policisë Kriminale, e cila udhëhiqet nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku. Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonën e Poliklinikës së Vlorës ku ndodhi vrasja, hetuesit kanë disa dyshime për emra të krimit të organizuar, por akoma mungojnë provat.
Pas gati 20 orësh të shoqëruar, policia la të lirë 15 persona ndaj të cilëve kishte dyshime se ishin të lidhur me ngjarjen. Deri në këtë fazë, në mungesë të provave, ka qenë i pamundur ndalimi, por në vijim agjentët e policisë në Vlorë pritet t’i mbajnë në vëzhgim.
Gëzim Sinomati dyshohet se u bë viktimë e së shkuarës së babait të tij, Sokol Sinomati, pjesë e grupit famëkeq të Gaxhait, i cili ditën e varrimit mori leje nga burgu për lamtumirën e fundit të birit.
Hetuesit dyshojnë se atentatorët mund të kenë ngatërruar objektiv dhe të kenë dashur të vrasin xhaxhain e 32-vjeçarit, Benard Sinomatin, i cili ditën e ngjarjes ishte në të njëjtën shtëpi dhe në vitin 2022 i shpëtoi një atentati me tritol në makinë.
/Shqip.com