Lajme

Ekipet e zjarrfikësve të Kosovës arrijnë në Shqipëri

Zjarrfikësit kosovarë në Kukës

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ekipet e zjarrfikësve të Kosovës kanë arritur në Shqipëri, saktësisht në Qarkun e Kukësit, njofton Shqip.com.

Sveçla ka thënë se pas përkeqësimit të situatës me zjarre ka mobilizuar ekipet e zjarrfikësve për t’i dërguar në Shqipëri.

Me anë të një postimi në Facebook, ai thotë se sot ka kërkuar mobilizim urgjent të ekipeve të zjarrfikësve tanë për t’i ndihmuar autoriteteve lokale në Kukës në luftimin e zjarreve matanë kufirit.

“Republika e Shqipërisë po përballet me problematikën e zjarreve tash e disa ditë. Natyrisht, se ndihma ndaj njëri tjetrit në situata të tilla është e domosdoshme. Prandaj, sot si Ministër i MPB-së, kam kërkuar një mobilizim urgjent të ekipeve të zjarrfikësve, si përgjigje ndaj kërkesës urgjente të autoriteteve shqiptare për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit, në luftimin e zjarreve”, ka shkruar ai.

“Qendra Operative e MPB-së, në bashkëpunim me atë të AME-së, kanë përgatitur trupat për dislokim në Republikën e Shqipërisë, konkretisht në Qarkun e Kukësit për mbështetjen e autoriteteve vendore në luftimin e zjarreve. Jemi në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet dhe sapo kanë arritur atje ekipet e para të zjarrfikësve sipas kërkesave. Ne do të jemi përherë përkrah njëri-tjetrit, në tejkalimin e sfidave të përbashkëta”, shtoi më tej Sveçla. /Shqip.com