Lajme

Edukatorja padit Komunën e Prishtinës, thotë se u diskriminua në konkursin e punës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca në rastin ku edukatorja S.M-T ka paditur Komunën e Prishtinës pasi pretendon se është diskriminuar në lidhje më konkursin e shpallur nga kjo e fundit për pozitën e punës si edukatore.

Në fillim të seancës, gjykatësi Jovica Mitrovic ka bërë të ditur se në këtë seancë ka qenë i ftuar të dëshmoj kryetari i komisionit H.B, mirëpo pasi që nuk ka fletëdërgesë të kthyer nuk ka prova se a e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërkaq, përfaqësuesi i edukatores, avokati Selatin Ahmet, i ka propozuar që kjo seancë të shtyhet pasi që ai ende qëndron pranë propozimit për dëgjimin e H.B pasi që sipas tij dëgjimi i i këtij të fundit është i domosdoshëm.

“Kundërkandidatja I.B  është favorizuar ashtu që është diskriminuar paditësja S.M -T dhe kundërpaditëses I.B i janë dhënë më shumë poena. Ajo ka qenë punëtore teknike, ndërsa paditësja i ka 30 mirënjohje të ndryshme dhe kualifikime nga të gjitha strukturat kompetente”, ka thënë avokati Ahmeti.

Në anën tjetër përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Diellon Gjonbalaj ka konsideruar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj të dskriminimit në lidhje me procedurën e pranimit për shkak se paditësja nuk i ka arritur pikët e mjaftueshme  për tu zgjedhur në pozitën ku ka konkurruar e njëherësh ka theksuar se ajo ka qenë në radhë të shtatë në listë.

I njëjti e ka kundërshtuar edhe propozimin për dëgjimin e dëshmitarit H.B pasi që paditësja më asnjë provë apo argument nuk e ka vërtetuar se kemi të bëjmë me ndonjë shkelje tjetër procedurale në këtë çështje përveç diskriminimit për çka ai ka thënë se e konteston në tërësi.

Në këto rrethana gjykatësi Mitrovicë e ka aprovuar propozimin e avokatit Ahmeti për dëgjimin e dëshmitarit H.B dhe ka konstatuar që seanca e sotme do të shtyhet.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 1 mars të këtij viti.

/Shqip.com