Edicioni i parë i Kampit Digjital

Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, është duke e mbajtur Edicionin e Parë të Kampit Digjital 2023, ku po marrin pjesë dhjetëra shërbyes civilë nga institucione të ndryshme dhe me profile të ndryshme si zyrtarë për teknologji dhe informim, zyrtarë ligjorë, zyrtarë të politikave, ekspertë, zhvillues, etj.
Po ashtu, në Kamp Digjital, po marrin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë në fushën e teknologjisë informative nga AUK, UP dhe UBT.
Si një prej aktiviteteve të Programit për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027, Kampi Digjital është duke u zbatuar nga E-Governance Academy e Estonisë, si një prej kompanive më të mira dhe më të famshme në dhe për fushën e digjitalizimit dhe Open Data Kosovo, si një prej organizatave joqeveritare vendore që ka për fushëveprim digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale.
Kampi Digjital u hap nga znj. Kaltrina Zeka, Shefe e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të Parë, z. Besnik Bislimi, bashkërisht me z. Kushtrim Canolli, Koordinator për Procesin e Barrës Administrative dhe z. Arben Salihu, Menaxher i projektit për zvogëlimin e barrës administrative në GIZ.
Pjesëmarrëse në një prej paneleve e diskutimeve të organizuara, ka qenë dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kampi Digjital është mbështetur nga projekti i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, i zbatuar nga GIZ.
/Shqip.com