Lajme

Edi Rama për akuzat e Kurtit ndaj Lajçak: Qasja e Prishtinës po i ndihmon Serbisë

Edi Rama - Kryeministri i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është rikthyer sërish akuzave ndaj kryeministrit kosovar Albin Kurti.

Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Rama ka thënë se reagimet e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve po e dëmtojnë shumë Kosovën.

“Janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, sepse të ngresh një teori konspiracioni për një bashkëpunim që e zbulove mes Serbisë dhe të dërguarit special të gjithë BE nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë. Po e përsëris, unë nuk dyshoj në dëshirën e madhe dhe të mirë të Albinit për të bërë më të mirën për Kosovën, por dëshira e madhe dhe vullneti i mirë nuk mjaftojnë asnjëherë. Duhet qartësia strategjike, për të arritur qëllimin, gjë që nuk e shoh. Nuk duam të ndikojmë në Prishtinë, pasi në Prishtinë janë autoritetet që burojnë nga vullneti i popullit të Kosovës dhe janë ata që kanë përgjegjësinë për ta udhëhequr Kosovën dhe për të zgjedhur rrugën për të arritur te një qëllim, që e kemi të përbashkët. Ne duam të njëjtën gjë, çështja është që ne mendojmë që rruga që ata kanë zgjedhur është rruga që nuk çon te arritja e atij qëllimi të përbashkët, po përkundrazi çon në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara, me BE, pra me miqtë, me aleatët me partnerët në vend se të çojë të realizimi i këtij qëllimi të përbashkët, kjo është e trishtueshme, por unë kam besim sidoqoftë që kjo është e përkohshme”, ka thënë Rama.

Rama nuk beson se veprimet e Kurtit do t’i sjellin atij edhe partisë që e drejton më shumë vota, por edhe të njëjtat do të ndikojë negativisht në përmbylljen e procesit të njohjeve.

“Nuk besoj, por e sigurtë është që nuk sjell rezultatin e dëshiruar për Kosovën që është përfundimi i një procesi normalizimi dhe pastaj i çlirimit të gjithë ngërçit të njohjeve në radhë të parë brenda vendeve të BE. Sepse ky është edhe synimi i planit franko gjerman dhe kjo duhet të ishte arritje më e madhe e mundshme, që do të ishte një njohje defacto edhe e Serbisë, pavarësisht se do ta njihje apo jo formalisht Serbia Kosovën, kjo mbetej e parëndësishme, Kosova do të fitonte këtu ulësen e saj, do të çlirohej nga barra e këtij konflikti për të vijuar procesin e integrimit në BE, dhe kështu me radhë. Dhe arsyeja pse BE insiston për këtë proces normalizimi është sepse duan të integrojnë Kosovën në gjithë ngrehinën e organizimit ndërkombëtar dhe në BE, gjë që nuk ka për të ndodhur kurrë nëse Kosova nuk e zgjidh këtë problem”.

Tutje kryeministri kosovar ka thënë se Serbia po përfiton nga qasja e Kosovës.

“Dhe ajo që është për të ardhur keq është se qasja e Prishtinës po i ndihmon Serbisë, nuk po ndihmon Kosovën sepse po viktimizon Serbinë në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë, po i mbyll gojën miqve dhe partnerëve tanë duke e kthyer Serbinë në një aktor që luan rolin e dikujt që është i penguar të bëjë gjënë që në fakt nëse Kosova do ishte proaktive dhe pozitive në dialog, Serbia mbase nuk do ta bënte, por ama do të ekspozohej dhe do ta merrte gjithë presionin ajo. Ndërkohë që kështu Serbia luan një teatër të cilin ia jep mundësinë ta luajë, politika dritë shkurtër e Prishtinës”, ka thënë Rama në intervistën e dhënë për ABC News.

Në pyetjen nëse ai ka diskutuar me presidentin ukrainas rreth njohjes së Kosovës, Rama ka deklaruar se rruga e njohjes përfundimtare të Kosovës, kalon nga Prishtina.

“Shiko, ne e kemi diskutuar padiskutim edhe me Presidentin Zelensky edhe e diskutojmë në cdo instancë me cdo lider që përfaqëson një vend që nuk e ka njohur Kosovën, por nga ana tjetër, ne jemi shumë të qartë dhe të bindur se rruga e njohjes përfundimtare të Kosovës nuk kalon as nga Ukraina as nga Gana, Nigeria, por kalon nga vetë Prishtina. Është Prishtina, e cila duhet ta bëjë deri në fund përpjekjen dhe mos t’i shmanget shtegut të hapur të një mundësie të madhe që është krijuar me planin franko-gjerman me dialogun në Bruksel, me mbështetjen e gjithë aleatëve që i dhanë jetë Kosovës së lirë demokratike dhe të pavarur dhe është Prishtina që duhet të kuptojë që në vend se të shfrytëzojë gjithë këtë themel miqësish po e minon atë me një qasje që me gjithë përpjekjet e mia, jam i pasuksesshëm për ta kuptuar se ku do të dalë.” u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama i ka konsideruar të kota përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për të rihapur çështjen e Kosovës në OKB, pasi sipas tij Kosova e ka fituar luftën dhe Kosova Republikë, është konfirmuar edhe nga vetë Gjykata ndërkombëtare dhe kjo është pa kthim.

/Shqip.com