DW: Kosova bën përgjegjës Beogradin për dështimin e votimeve në veri
Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë. Por pas thirrjes së Listës Srpska për bojkot, serbët e veriut e bojkotuan pothuaj tërësisht referendumin dhe KQZ pas mbylljes së vendvotimeve e shpalli atë të dështuar. “Andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Lista Srpska në muajin janar të këtij viti kishte marrë pjesë në mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit në Mitrovicë të Veriut, Zveҫan, Leposaviq dhe Zubin Potok, por vetëm disa ditë para referendumit të së dielës, ajo bëri thirrje për bojkot, thirrje kjo që u dëgjua nga serbët.
Kosova bën përgjegjëse presionin e Beogradit për dështimin e votimeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas dështimit të referendumit, tha se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. “Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shkroi Presidentja në profilin e saj social. Presidentja Vjosa Osmani, shkroi më tej se “me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe masat kundër Kosovës të hiqen menjëherë”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “rezultatet e votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, tregojnë se nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”. “20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin, për të iniciuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledhë 20% por jo edhe 50%”, shkroi kryeministri.
Reagime pas dështimit të votimeve në veri pati edhe nga SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shprehën keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk morën pjesë në procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës. “Përmes pjesëmarrjes në votim, serbët kanë mundur të avancojnë në demokraci efektive dhe përfaqësuese. Pjesëmarrja demokratike ndihmon që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullatave, të cilave u shërbejnë. Votimi është e drejtë kyçe në shoqëritë demokratike”, tha ambasada amerikane në reagimin e saj.
Lista Srpska përshëndet unitetin mes serbëve
Partia më e madhe e serbëve, Lista Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit, tha pas mbylljes së vendvotimeve, “të dielën është treguar shkallë e lartë e unitetit të popullit serb”.”Më 21 prill është dëshmuar se nuk janë Lista Serbe dhe Serbia që po frikësojnë serbët, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njësitë e tij ilegale parapolicore, që kanë rezultuar me rrugë të zbrazëta në veri”, thuhet në një komunikatë të Srpska-as.
Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të shkuar, zgjedhje këto të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe. Aktualisht është e paqartë se çfarë do të ndodhë pas dështimit të referendumit të datës 21 prill, meqë një i till, nuk mund të organizohet më para se të kenë kaluar 12 muaj të plotë.
/Shqip.com