Rozë

Dua Lipa merr nënshtetësi shqiptare

Artistes me famë ndërkombëtare, Dua Lipa se fundi iu është dorëzuar dekreti i shtetësisë shqiptare nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Begaj përmes një postimi në Facebook.

“Dua Lipa është krenari shqiptare! Kënaqësi e veçantë t’i dorëzoja dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën! Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment”, shkroi Begaj.

Tutje, Begaj tha se një artiste si Dua Lipa është një pasuri e rrallë në botën e muzikës.

“Një artiste si Dua Lipa është një pasuri e rrallë për botën e muzikës dhe në të njëjtën kohë një krenari e jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe kudo ku flitet shqip. Ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar”.

Kujtojmë se në nder të festës së 28 Nëntorit, Dua Lipa do të mbajë një koncert në Tiranë.

Sipas njoftimit të saj, me këtë koncert ajo do ta përmbyll edhe turneun e saj të “Future Nostalgia”.

“Jam shumë e lumtur që turneun i fundit i Future Nostalgia do të ndodhë në Tiranë, Shqipëri. Mezi po pres me ju pa për Ditën e Flamurit dhe 110 vjetorin e pavarësisë. Ju dua shumë”, ka thënë Lipa.

Është hera e dytë që ajo po mban koncert këtë vit në Tiranë, pasi që më herët ishte në kuadër të “Sunny Hill”.

/Shqip.com