Lajme

“Dua 60 mijë euro” – Zbardhet e plotë dosja për Altin Çokun. Si e kërcënoi dentistin me fëmijën dhe i shkoi te kopshti

Gazetarja Klodiana Lala i është rikthyer këtë të mërkurë historisë së Altin Çoku, i cili u bë shkak për vetëvrasjen e një 27-vjeçareje, nënë e një fëmije.

Në investigimin e saj, Lala ka gjetur dosjen e plotë për Çokun.

Ky i fundit ka kërcënuar një dentist se do t’i vriste fëmijën nëse nuk do t’i paguante gjobën 60 mijë euro.

Dhe për të treguar që kërcënimin e kishte serioz, Çoku i ka shkuar te kopshti ku ndodhej fëmija i dentistit.

Dokumentari:

Ajo u bë viktima e fundit e një sulmi, të përbindshëm dhe të një helmi që sot prodhojnë rrjetet sociale, dhe midis tyre edhe Tik-Tok. Një rrjet që fillimisht lindi si një projekt për të shpërndarë në masë videot virale. Por që si çdo produkt pjellë e mendjeve gjeniale njerëzore, shpejt ky rrjet u pushtua nga shpirtrat diabolikë. Dhe si i tillë duke prodhuar kohë pas kohe edhe viktimat e veta. Ky duket se ishte edhe fati i keq i Sibelës, nënës 27 vjeçare, të një vajze të mitur. E cila vendosi që më datë 12 shkurt të këtij viti, ti japë fund jetës duke u hedhur nga ballkoni i apartamentit, ku jetonte me familjen e saj, në lagjen ‘Teuta’ në Kamëz. Kjo pasi një person i identifikuar më pas si Altin Çoku, thuhet se i kishte publikuar në rrjetin social Tik-Tok një foto intime. Ku pavarësisht lutjeve të saj, fotoja nuk ishte hequr nga rrjeti social, dhe po vazhdonte t’i shkaktonte andrralla të shumta në familje. Një histori që shumë shpejt njerëzit filluan ta përkufizonin si ‘E bukura dhe bisha’. Përbindëshi, një tik-toker i njohur në rrjetet sociale, i cili nuk u kthye dot në një princ për Sibelën, por përkundrazi u kthye në një demon që i mori jetën.

Dhe e bukura që nuk i rezistoi dot poshtërimit dhe përbaltjes, që vinte edhe nga etiketimi si e përdalë, që tanimë i kishte caktuar si damkë shoqëria konsumatore e këtyre rrjeteve. Por cila është historia e Sibela Abedinit dhe Altin Çokut, njeriut që sot ndodhet pas hekurave si shkaktar i vetëvrasjes së saj. Pasi në Tik-Tok qarkullonte një profil me emrin e tij, ku në ballinë ishte postuar edhe fotoja e të dyve në momente intime. Një njohje që duket se ka nisur gjatë muajit shkurt dhe ku mendohet që Altin Çoku, ka shfrytëzuar nevojën e Sibelës për mbijetesë, nënës së një vajze të mitur, vetëm dy vjeçare, për të krijuar një lidhje me të. Pavarësisht se ai ishte i martuar dhe Sibela nuk ishte shkëputur ende nga një lidhje martesore në Kosovë, por që po kalonte krizën e saj në çift. Dhe që për këtë arsye mendohet se kishte ardhur të qëndronte për disa kohë te familja e nënës së saj në Kamëz. “Unë Sibelën e kam njohur para dy javësh, rastësisht nga nëna e saj Daniela. Pasi nusja ime iku me vajzën në Itali, unë i kërkova Danielës të më vinte të më pastronte banesën. Por ajo më tha se do sillte vajzën e saj, të quajtur Sibela. E cila erdhi disa herë për të pastruar shtëpinë dhe gjatë kësaj kohe shkëmbyem numrat e telefonit. Gjatë kësaj kohe, unë i shpreha dëshirën Sibelës që të lidhesha me të”, ka deklaruar ai.

Ky mendohet se është edhe momenti kur Altin Çoku, duke shfrytëzuar famën e tij si një tik-toker i njohur, ka menduar që këtë raport intim të krijuar me Sibelën, ta publikojë në këtë rrjet social. Dhe këtë ta bëjë duke hapur një profil me emrin e tij, duke postuar aty një foto në momente intime me vajzën, gjë e cila duket se e ka trazuar pa masë, Sibelën, e cila tashmë duhej të përballej me dy opinione vrastare, atë të publikut në njërën anë dhe të familjes në krahun tjetër. Altin Çoku u përpoq të shfajësohej, teksa pretendoi se foton e Sibelës, nuk e postoi ai, por një mik i tij.

Në këtë mënyrë, ai i ishte shfajësuar edhe Sibelës, teksa kjo e fundit i lutej ta hiqte atë foto nga rrjeti social. Por, hetuesit zbuluan se ishte vetëm një alibi e tik-tokerit, që kishte një të shkuar kriminale dhe një personalitet problematik. Këtu ku duket se fillon një tjetër histori, shumë më e komplikuar. Që në të vërtetë tregon problemet e thella të personalitetit të Altin Çokut. Dhe mënyrës se ai i shikonte qeniet njerëzore, si një mundësi për ti kërcënuar dhe shantazhuar. Ashtu si në fakt kishte bërë edhe më herët, ku shpesh kishte pasur ndodhi të tilla dhe përballje me drejtësinë. Hetimet e mëtejshme lidhur mbi vetëvrasjen e Sibelës dhe shkaqet që çuan në këtë akt tragjik flijimi, dhe kontrolli i telefonit të Altin Çokut, krijuan bindjen për grupin hetues se ky njeri nuk ishte aspak i besueshëm në thëniet e tij. Kjo duke parë edhe nga e shkuara e tij e errët, me të njëjtat njolla në dosje.

“Nga këqyrja e telefonit të shtetasit Altin Çoku, ka rezultuar se në aplikacionin Messenger ka katër biseda me përmbajtje fyese dhe denigruese si edhe i ka të fshira të gjitha bisedat që ka pasur me shtetasen, Sibela Abedini. Shtetasi Andi Haxhiu tha gjatë marrjes në pyetje, se nuk e njeh Sibela Abedinin. Ai po kështu tha se Altin Çokun e njoh dhe janë takuar në fund të janarit, ku Altini i ka thënë se ishte ndarë nga bashkëshortja dhe për këtë arsye i ka kërkuar mbështetje. Andi thotë se ai është ulur në lokal me Altinin, por nuk e ka prekur telefonin e tij”, thuhet në dosje. Pas këtij takimi Andi Haxhiu, personi që Altin Çoku thotë se i ka publikuar foton me Sibelën, tha se ky i fundit i kërkoi borxh. Por pasi Andi nuk ia dha, Altini filloi ta kërcënojë. Madje ti çojë edhe dy foto, ku dallohej një vajzë, të cilat i ka fshirë menjëherë.

“Pasi Altini më kërkoi 1 mijë euro borxh, duke më thënë se do më linte peng përkrahjen e invaliditetit për tre vitet e ardhshme, unë u interesova te një notere, e cila pasi u këshillova me të më tha se kjo gjë ishte e pamundur të bëhej. Pasi unë nuk pranova t’ia jap paratë, Altini filloi të më kërcënojë dhe të më ofendojë nga familja. Gjatë kësaj kohe ai më dërgoi edhe dy foto në telefon në WhatsApp, ku kishte dalë së bashku me një vajzë, të cilën unë nuk e njihja. Foto ku ata shikoheshin të afruar me njëri-tjetrin dhe në pamje të parë dukej që kishin një raport të ngushtë”, ka deklaruar Andi Haxhiu.

Por djallëzia e Altin Çokut duket se nuk është ndalur këtu. Pasi mësoi se shoku i tij nuk do e ndihmonte me para, ai ka menduar të hakmerret në një formë tjetër ndaj tij duke e futur në sherr me Sibelën dhe duke e bërë të besojë vajzën, se ishte shoku i tij, në këtë rast Andi, që kishte publikuar foton e tyre, duke i dhënë në këtë moment edhe numrin e tij të telefonit. Çka ka detyruar Sibelën që t’i shkruaj drejtpërdrejt Andit dhe t’i kërkoj atij, heqjen e fotos dhe mbylljen e profilit në Tik-Tok. “Ka qenë ora 19.00 kur një numër më shkruajti, dhe më tha të takohemi në lidhje me publikimin e një fotoje. Unë edhe pse nuk e njihja personin që po më shkruante. i ktheva përgjigje, duke i thënë që të mos më bezdiste. Dhe nëse dëshironte mund të shkonte në polici ta zgjidhte këtë punë. Duke qenë se këto biseda zgjatën dhe u bënë shqetësuese, unë vendosa t’i bëj bllok këtij numri”, ka thënë Andi Haxhiu.

Ky person që po i shkruante Andit, ishte vetë Sibela, gjë që u vërtetua edhe nga bisedat që ai vuri në dispozicion për grupin hetues. Nga ku ajo i kërkon llogari përse i ka shpërndarë fotot e saj dhe t’i heqë menjëherë nga rrjetet sociale.

“Nga bisedat del se Sibela është shumë e shqetësuar, dhe ajo i drejtohet me tone të ashpra Andit ku i kërkon me ngulm që t’i heqë këto foto. Andi i thotë të shkojë në polici, nëse ka diçka me të”, thuhet në dosje. Por kjo taktikë dhe mënyra se si Altin Çoku e vrau Sibelën, nuk ishte e para për të në mënyrën se ai vepronte dhe i shikonte viktimat e tij. Në vitin 2014, ai ishte në hetim nga Prokuroria e Kurbinit për veprën penale të ‘Kanosjes’ dhe të ‘Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike’. hetime të cilat i kaluan më pas Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Nga ku rezultoi se Altin Çoku kishte kërcënuar shtetasin Gëzim Sinani.

“Altin Çoku dhe Gëzim Sinani, janë banorë të qytetit të Laçit, ku ky i fundit shërben si mjek neuro-psikiatër, pranë spitalit të këtij qyteti. Ndërsa i pandehuri Altin Çoku është i martuar, me një fëmijë të mitur dhe i papunë. Sipas provave të mbledhura rezulton se mjeku Gëzim Sinani e ka pasur pacient Altin Çokun. Por Altin Çoku e ka kërcënuar vazhdimisht duke i kërkuar para. Në qershor të vitit 2014 Altini ka shkuar në zyrën e mjekut në fjalë dhe i ka thënë se i duheshin para për të mjekuar vajzën, por edhe për tia dhënë avokatit të tij për një çështje që kishte. Mjeku thotë se i ndjerë i kërcënuar ai i ka dhënë para në mënyrë të vazhdueshme Altinit, një shumë deri në 4 mijë euro”, thuhet në dosjen e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Siç do të shikohet edhe nga bisedat e mëposhtme, Altin Çoku e kërcënon me vdekje mjekun, i cili mesa duket i ka marrë seriozisht kërcënimet e pacientit të tij, të cilin mesa duket ai e njihte më mirë se kushdo. Ndërkohë që Altin Çoku nuk mjaftohej duke i shkruar mesazhe telefonike mjekut të tij, por i çonte edhe letra kërcënuese me shkrim dore.

“Unë jam ke shpija. Më bëj sms a të vij sipër e ti marr apo nuk ke gjet gja. Vroj se fol me njeri se o un o ti gjall pastaj’. ‘Gëzim un jam në hall. Më ndihmo po dashte me i marr lekt tuja. Nëse nuk do me pas gjakderdhje unë për 5 minuta jam aty tani gjej ku të dush 1 000 euro deri nesër ose kam me vra kush të më dali para”, thuhet në mesazhin kërcënues të Altin Çokut.

Problemet e Altinit me mjekun e tij psikiatër i pranoi edhe babai i tij, i cili në polici tha se ndihej i dorëzuar ndaj tij, pasi djali ishte me probleme të shëndetit mendor. Ndërsa nga Akt Ekspertimi Psikiatriko–ligjor, në kartelën e tij mjekët shkruan se Altin Çoku vuan nga tipare të personalitetit narcistik. Por nuk u evidentuan çrregullime të mendimit, gjykimit, si edhe ka aftësi të mira për ta ruajtur dhe përdorur informacionin. Ndërsa ai vuante nga një deformim trupor, por pa qenë e nevojshme për t’u trajtuar për ndonjë simptomë të shëndetit mendor.

“Kur unë kam shkuar në spital, aty kam gjetur doktor Gëzimin, të cilit i kishin dalë djersët dhe më tha se Altini e ka kërcënuar dhe se i kishte kërkuar lekë. Disa ditë më pas Gëzimi më tha se do shkonte në polici, pasi Altini e kishte kërcënuar sërish. I thashë, ‘vazhdo, nuk kam çfarë të bëj më’. Ajo që kam për të thënë është se djali im është i sëmurë mendor dhe kurohet rregullisht për sëmundjen e tij”, ka deklaruar Pal Çoku.

Lidhur mbi këtë ngjarje në përfundim të gjykimit, gjykata e dënoi Altin Çokun me vetëm 1 vit e 6 muaj burgim. Por Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, kërkoi pezullimin e dënimit të mbetur me burgim dhe vënien në provë të tij, për një afat prej 5 vitesh, duke urdhëruar që i dënuari të mbajë kontakte me Shërbimin Rajonal të Provës, si dhe të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike, dhe t’i nënshtrohet një programi të trajtimit mjekësor apo rehabilitees. Duke urdhëruar kështu lirimin e tij të menjëhershëm, nga dhomat e paraburgimit. Por me të lënë qelinë, në vitin 2015, Altin Çoku iu rikthye sërish avazit të vjetër të kërcënimeve për zhvatje. Edhe këtë herë fiksimi i tij ishte një mjek, në këtë rast dentist.

“Shtetasi Nderim Hysa, i cili ka një klinikë dentare në lagjen nr. 3 të qytetit Laçit, ka bërë kallëzim për shtrëngim nëpërmjet telefonit për dhënie pasurie ndaj shtetasit Altin Çoku. Konkretisht, sipas tij më datë 27 Tetor 2015 rreth orëve të mëngjesit, në numrin e tij të telefonit, kanë mbërritur sms me përmbajtje kanosje, për vrasjen e djalit të tij si dhe shkatërrim të klinikës dentare. Mesazhe që sipas tij i erdhën nga numri i shtetasit Altin Çoku”, thuhet në dosje. Ashtu si në rastin e mjekut psikiatër, edhe në këtë kallëzim, kërcënimet ishin të të njëjtit format. Madje edhe shuma që kërkonte ishte e njëjtë. 4 mijë euro, aq sa i kishte marrë edhe mjekut Gëzim Sinani.

‘Rim këto sms që do të çoj unë mos bëj gabim tja tregosh askujt. Po shkove në polici do të vras djalin dhe ty. Unë deri të premten dua nga ti 60 mijë euro. Nëse nuk mi jep, djalin nuk e sheh kurrë. Për shpirt të vllait po nuk më the që më jep paratë djalin ta vras ke kopshti. ‘Mos bëj gabim të më ndrrosh numër se e kam snajperin gati. Kthe sms dhe më thuj, do me mi dhanë apo jo. Për shpirt të vllait, sonte të zej pritë unë’. ‘Kaq trim qenke që nuk shkruan fare. Do ta shohim kush do dali ma trim. Më jep 4 mijë euro dhe të lej të qetë’”, shkruante Altin Çoku. Por Altin Çoku nuk u mjaftua vetëm me kërcënimet.

Ai shkoi edhe në kopshtin e djalit të mjekut dentist, gjë që u provua edhe në dëshminë e edukatores së kopshtit. “Mesazhet kërcënuese që Altin Çoku i dërgonte dentistit Nderim Hysa, vazhduan edhe në ditët në vazhdim. Për ta bërë sa më të besueshëm kërcënimin e tij, Altin Çoku shkoi edhe tek kopshti i djalit të dentistit, ku e pyeti edukatoren, nëse ishte në këtë kopsht dhe djali i Nderimit. Por ajo i tha që nuk është këtu. Dhe në këtë moment lajmëroi vetë babain e fëmijës, i cili e gjeti Altinin aty. Nderimi i kërkoi llogari Altinit, se përse e kërkonte djalin e tij dhe nëse ishte ai që i kishte dërguar mesazhet kërcënuese. Në fillim Altini tha se te kopshti e kishin dërguar disa persona që e kishin goditur me pistoletë në kokë. Por pasi Nderimi i tha që nëse do tregonte të vërtetën nuk do merrej më me të, Altini pranoi se ishte ai që e kërcënonte, nëpërmjet telefonit të një djali invalid nga Laçi. Telefon që e kishte fshehur në një lokal në qytet”, thuhet në dosje. Fill pas kësaj bisede dhe gjetjes së telefonit që ishte fshehur në një lokal, mjeku dentist është paraqitur në policinë e Laçit, ku ka dorëzuar edhe aparatin celular.

“Aparatin telefonik e gjetëm të fshehur në një kolltuk në lokal. Ku pasi shtypëm #111# na doli numri telefonik që ishte në përdorim nga një invalid që kishte njohje me Altin Çokun. Dhe që ky ia kishte marrë telefonin Altinit për ta përdorur me qëllim që të më shantazhonte”, ka deklaruar Nderim Hysa. Vetë Altin Çoku tha se ideja për të kërcënuar dhe trembur dentistin Nderim Hysa, i kishte ardhur duke pirë kafe dhe se donte ti tregonte vendin Nderimit, që hiqej sipas tij më trim se ai.

“Ideja për ti çuar mesazhe Nderimit, më lindi ndërsa po pija kafe. Kjo pasi kur e takoja ai gjithmonë më thoshte se ‘ti ke bërë burg, por unë jam më trim se ti’. Unë doja që dhe ai të ndihej i frikësuar. Pasi i dërgova mesazhin e parë Nderimi nuk më ktheu përgjigje, kështu që vendosa të dërgoja dhe një mesazh tjetër pas 5 minutash. Unë kam pirë gjak me djalin e xhaxhait të Nderimit. Qëllimi im kryesor i dërgimit të mesazheve ka qënë thjesht për të frikësuar Nderimin dhe jo për të përfituar lekë nga ai. Gjithë kjo ka qenë një shaka që unë e kam menduar në atë moment”, ka deklaruar Altin Çoku. Edhe për këtë ngjarje, Altin Çoku, mori një dënim të lehtë. Ai u dënua me vetëm 2 vite heqje lirie, në një burg të sigurisë së zakonshme. Por e vërteta është se personazhe si Altin Çoku nuk mund të ekzistojnë pa ndihmën e pjesës së një shoqërie të kalbëzuar, e cila gjen te këta individë vetveten dhe i merr dhe i bën të famshëm. Ashtu si me krijimin e Tik-Tok, ku e mori nga një personazh që e njihte vetëm qyteti i tij dhe drejtësia dhe e bëri të njohur falë klikimeve në rrjetet sociale.

Duke i dhënë jo vetëm famë, por edhe para. Por duke i marrë jetën edhe njerëzve të ndryshëm, ashtu siç bëri në rastin e Sibelës. Së cilës u publikoi fotot në Tik-Tok, vetëm për vëmendje. Që konsumatorët e Tik-Tok, të mos e kishin më vëmendjen te problemi i tij fizik, te ‘Bisha’, por e bukura të mbulonte difektet e tij trupore. Por Altin Çoku nuk është prodhimi i vetëm me të cilin Tik-Toku na ka njohur në këto vite. Dhe Sibela për fatin e saj të keq, nuk është viktima e vetme e këtyre individëve dhe kësaj industrie që përdoret për qëllime perverse nga këta njerëz.

Raste të tjera

Bedrie Loka, tashmë është bërë e njohur, që i dha fund jetës më datë 2 janar 2024. Pasi prej një viti ishte bërë pre e një profili të hapur në Tik-Tok, ku jo vetëm ishte vendosur një foto e saj, por edhe ku etiketohej me fjalë dënigruese për moralin e saj si grua dhe si nënë e katër fëmijëve. Ajo i dha fund jetës nën kërcënimin dhe dhunën e vazhdueshme të bashkëshortit të saj, i cili tanimë ndodhet në qeli, në pritje të gjykimit. Ndërsa rastet e sulmit në Tik-Tok ndaj grave dhe nënave me anë të profileve të rreme, jo vetëm nuk janë pakësuar por janë shtuar edhe më shumë.

Ku ajo që vihet re është gjuha poshtëruese, bullizuese dhe stigmatizuese që përdoret. Ku për hir të klikimeve, nuk duket se mungojnë as fëmijët, të cilët përdoren nga familjarët e tyre. I tillë duket edhe rasti i gjyshes 67- vjeçare dhe babait që në Sarandë, përdornin nipin dhe djalin e tyre, për të denigruar me fjalë fyese, komentuesit në Tik-Tok, të cilët kishin komente negative për ta. Denoncim që erdhi nga nëna e djalit. E cila pas ndarjes me bashkëshortin, jetonte në Kuçovë.

“Pas kallëzimit të marrë në muajin dhjetor 2023, nga shtetasja E. A., se ish-bashkëshorti i saj dhe nëna e tij, postonin në rrjetin social Tik-Tok, video ku shfaqej djali i saj i mitur 10 vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale, u regjistrua procedimin penal për këtë rast. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Show’, u ndaluan Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku, përkatësisht gjyshja dhe babai i fëmijës”, sqaron policia.

Një tjetër rast tronditës ishte dhe arrestimi i Benard Çullhaj, 27 vjeç që shantazhonte një të mitur përmes rrjeteve sociale. Policia u vu në lëvizje nga kallëzimi i 15-vjeçares. “Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas kallëzimit të bërë nga një e mitur 15-vjeçare, se një shtetas i kishte hapur profile false në rrjete sociale dhe e shantazhonte për ti dërguar foto/video intime, si dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Intimiduesi”, u arrestua Benard Çullhaj. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, i ka hapur profile false, një 15 vjeçareje, në rrjete sociale, e shantazhonte për ti dërguar foto/video intime dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Nga veprimet hetimore të kryera, janë dokumentuar dy ngjarje të tjera të kësaj natyre kriminale, me autor të dyshuar 27-vjeçarin dhe dy të dëmtuara 15 dhe 16 vjeçe”, njoftonte policia.

Por ai është privimi i lirisë medikamenti për të shpëtuar njëherë e mirë viktimat e Tik-Tokut, nga përdorues të cilët përdorin çdo mjet për të rritur famën dhe përfitimet e tyre. Cili është mekanizmi për të shpëtuar shumë njerëz të tjerë të cilët në mos kanë rënë, po përjetojnë të njëjtën dramë ashtu si Sibela apo edhe të tjerë nga personazhe si Altin Çoku, apo gjyshja që e quante veten heroinë që po rriste një nip, i cili në moshën e tij duhet të ishte në shkollë dhe jo në Tik-Tok, duke fyer komentuesit.

/Shqip.com