Lajme

“Ditën kur kandidova për kryetar të LDK-së, hoqa dorë nga ëndrra më e madhe – qeverisja me Prishtinën”

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se në ditën kur është future në garë për kryetar të LDK-së, ka hequr dorë nga ëndrra e tij më e madhe, qeverisja me Prishtinën, transmeton Shqip.com.

Ai thotë se para se të propozohej Përparim Rama – kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës, është diskutuar nëse do të duhej t’i hynte vetë garës Abdixhiku.

Mirëpo, shton se përgjegjësia që mban e që është rikthimi i partisë pas rezultatit të pësuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, ka bërë që të mos ketë më dilemë nëse do të duhej t’i hynte kësaj gare apo jo.

“Ditën që kam vendosur të futem në garë në LDK, për kreun e LDK-së, kam hequr dorë prej ëndrrës sime më të madhe në jetë që kam pasur, e që ka qenë qeverisja e Prishtinës. Se besoj që kisha bë punë të mira”, është shprehur Abdixhiku në “Pressing” të T7.

“Trashëgoj një karrige të rëndësishme, por më tepër për shkak të përgjegjësisë që mbaj, e që është rikthimi i LDK-së. Unë këtë dilemë e kam kryer me 14 mars, është e kryer përjetësisht”, tha Abdixhiku.

Tutje, ai sqaroi se pse partia ka vendosur që kandidatin për kryetar të Komunës në Prishtinë ta gjejë dikë jashtë strukturave të saj.

“Në Prishtinë kemi dalë jashtë LDK-së, me qëllim të rritjes të LDK-së në Prishtinë, pas gjunjëzimit që kanë bërë këtu. Me aq sa po shoh, ne do të kemi një fushatë të jashtëzakonshme të LDK-së me kandidatin tonë, Ramën”, shtoi Abdixhiku. /Shqip.com