Dioqeza Rashkë-Prizren: Persona të armatosur po lëvizin në oborrin e Manastirit të Banjskës
Dioqeza Rashkë-Prizren ka thënë se persona të maskuar të armatosur gjenden brenda oborrit të Manastirit të Banjskës, ndërsa po dëgjohen herë pas here edhe të shtëna armësh.
Dioqeza ka dënuar ashpër sulmin në mëngjesin e sotëm, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u lëndua polici Alban Rashiti.
Dioqeza ka thënë se brenda Manastirit të Banjskës janë mbyllur një grup besimtarësh nga Novi Sadi dhe igumeni Danilo. Po ashtu gjendet edhe “vëllazëria e Manastirit”.
“Ky është incident i rëndë me implikime potencialisht të gjëra. Prandaj, është e domosdoshme të merren gjitha veprimet e nevojshme për ta ruajtur qetësinë dhe rendin. Dioqeza i shpreh ngushëllime më të thella familjes së policit të ndjerë dhe sinqerisht shpreson në shërimin e shpejtë të të lënduarve. Dioqeza është thellësisht e shqetësuar, pasi sipas raportimeve, një grup i armatosur i maskuar depërtoi brenda portave të Manastirit, duke përdorur një automjet të blinduar. Aktualisht, një grup besimtarësh nga Novi Sadi, përfshirë edhe igumenin Danilo, si dhe vëllazërinë e Manastirit, janë brenda. Për siguri, ata u mbyllën në konvikt, si dhe tempulli i Manastirit është mbyllur po ashtu. Persona të armatosur të maskuar lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna armësh. Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që ushtrohet në objektin fetar të Kishës ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i japin fund konfliktit sa më parë”, thuhet në reagimin e Dioqezës.
/Shqip.com