Dëshmitari në rastin ndaj Mustafës thotë se me të s’kishte pasur kontakt, por vetëm një përshëndetje

Dëshmitari i pestë që po dëshmon në rastin ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se s’ka pasur asnjëherë kontakt personal me të akuzuarin.
Ky dëshmitar i njohur me kodin W04603 ka deklaruar se me të akuzuarin ka shkëmbyer vetëm një përshëndetje.
Një deklarim të tillë ai e ka bërë në seancën e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Mustafës, avokatit Julius Von Bone.
Se a ishte takuar ndonjëherë para, gjatë apo pas luftës me tani të akuzuarin Mustafa, kjo gjë nuk është bërë e ditur, meqë përmbajtja e deklaratës nuk është transmetuar.

Para Gjykatës Speciales, ky dëshmitar është prezantuar si ish-pjesëtar i Brigadës 153.
Pjesa më e madhe e dëshmisë ka qenë seancë private.
Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa aktakuza iu konfirmua në qershor të vitit 2020.
Mustafa akuzohet se gjatë prillit të vitit 1999 kreu krime lufte në një qendër ndalimi në Zllash, në afërsi të Prishtinës.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, ai është deklaruar i pafajshëm./SHQIP.com