Dëshmia e Amber Heard: Asgjë që unë mund të bëja, s’e ndalonte atë të më godiste

Amber Heard vazhdoi dëshminë e saj në gjyq duke pretenduar se gjithçka ish-bashkëshorti i saj akuzon janë shpifje.
Në ditën e dytë të dëshmisë së saj, Heard tha se abuzimi fizik prej Johnny Depp e përshkallëzoi situatën në çift duke e çuar dyshen në keqtrajtim të njëri-tjetrit.
“Asgjë nga ato çfarë bëja unë nuk e ndalonte atë të më godiste. Asgjë. U përpoqa për më shumë se 1 vit, ndoshta 2, të mos i përgjigjesha fizikisht, verbalisht, vetëm e shihja”, tha Heard.
“U përpoqa të ngrija, të shkoja në një vend tjetër. U përpoqa derisa e sulmova verbalisht. Derisa e kërcënova që nëse do të më godiste sërish unë do të thërrisja policinë.”
Depp ka ngritur një padi ndaj Heard për 50 milionë dollarë për një shkrim të vitit 2018 që ajo bëri për The Washington Post, në të cilin e përshkroi veten si një “figurë publike që që përfaqëson abuzimin në familje”.

Megjithëse Depp nuk u përmend në artikull, ai pretendon se kjo i kushtoi atij humbjen e roleve shumë të rëndësishme dhe fitimprurëse aktrimi.
Gjatë disa ditëve më parë, ylli i filmave dëshmoi se nuk ka goditur kurrë një grua, duke akuzuar ish-partneren për abuzim verbal dhe fizik.
Ndër të tjera ai rrëfeu me detaje edhe një incident të ndodhur në Australi, si pasojë e të cilit Depp mbeti me një gisht pjesërisht të prerë. Të dy kanë mohuar pretendimet e njëri-tjetrit për abuzim.
Heard dhe Depp u takuan në 2009-ën dhe qëndruan të martuar në vitet 2015-2016.
Gjyqi do të vijojë sërish në 16 maj, pas një pushimi të shkurtër.