Lajme

Deliu-Kodra thotë se mosftesa në Samitin e Demokracive dëmton imazhin e Kosovës

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

“Përveç faktit që demonstron hapur raportin e cenuar të kësaj Qeverie me Shtetet e Bashkuara, mosftesa në Samitin e Demokracive, të organizuar nga Presidenti Biden, do të dëmtojë edhe imazhin dhe argumentin lobues për njohje”.

Kështu ka deklaruar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, derisa ka komentuar mosftesën e Kosovës nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lexo edhe:
Kurti fajësohet për mosftesën e Kosovës nga SHBA-ja në Samitin për Demokraci

“Garanca amerikane në botë, se Kosova po zhvillohet në një shtet demokratik, ka qenë argumenti më i fuqishëm i diplomacisë kosovare në kërkimin të njohje të reja”, ka shkruar Deliu-Kodra në profilin e saj në Facebook.

“Mos dërgimi i ftesës në Samitin e Demokracive shpreh, në mënyrë implicite, dyshimin amerikan për orientimin politik dhe strategjik të Kosovës. Kjo konsekuencë e prodhuar nga Qeveria, për më tepër, do të ushqejë aspirimet e politikave dhe vendeve anti-perëndimore të shtrijnë ndikimin e tyre në Kosovë”.

Më tej, ka thënë se “në dy Qeveritë Kurti, nga dy administratat, SHBA në mënyrë të drejtpërdrejtë ka sanksionuar Kosovën”.

Flamuri i Kosovës dhe ai i SHBA-së

“Në Qeverinë ‘Kurti1’ me bllokimin e fondeve të MCC-së dhe tani me mosftesën në Samitin e aleatëve amerikan”.

Prestigjiozja amerikane “Politico” ka nxjerrë emrat e shteteve të cilat morën ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për t’u bërë pjesë e Samitit të Demokracisë i cili do të mbahet në muajin dhjetor të këtij viti.

Në këtë listë të “Politico’s”, Kosova është një ndër pak shtetet e paftuara, bashkë me Serbinë e Bosnjën./SHQIP.com