Lajme

DASH për vizitën e Blinken: Riafirmim i marrëdhënieve me partnerin kyç

Departamenti amerikan i Shtetit
Departamenti amerikan i Shtetit

Një ditë para vizitës së sekretari Blinken në Tiranë, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller në një konferencë ka dhënë disa detaje në lidhje me agjendën e zyrtarit të lartë amerikan.

Miller njofton se vizita e Blinken në Shqipëri është e para dhe riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Ai thekson se Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës.

“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë. Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor” deklaroi Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Ndërkohë ish ambasadorja Yuri Kim, gjatë konferencës me gazetarët së bashku me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit James O’brien, ka zbuluar se Blinken do të mbërrijë në Tiranë në kuadër të 100 viteve të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Veç kryeministrit Edi Rama, ish-ambasadorja amerikane në Tiranë ka zbuluar se Blinken do të takojë dhe kreun e shtetit, Bajram Begajn.

“Vizita vjen si fillimi i 100 viteve të dyta të marrëdhënieve me Shqipërinë e SHBA-së, vjen në një kohë kur duam të shkojmë dhe të falënderojmë kryeministrin Rama dhe Shqipërinë që ka qenë bashkëpunëtorja jonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2000.

Gjithashtu duam të theksojmë, bashkëpunimin e madh e madh që ka pasur Shqipëria me ne për afganët, dhe shqiptarët kanë vazhduar traditën e tyre historike për të strehuar të huajt.

Do të takojmë Presidentin Begaj dhe më pas do të ketë një takim me kryeministrin, kjo nuk është domosdoshmërisht në kronologji, por do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin. Ai do të ketë një takim të bukur me njerëz që kanë kaluar nëpër programe të ndryshme shkëmbimi tek Piramida e Tiranës, një investim shqiptaro-amerikan”, ka thënë Kim.

/Shqip.com