Lajme

Dardan Nuhiu – ende drejtor i NjIF-it – reagon pas publikimit të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”

Dardan Nuhiu, ende drejtor në NjIF

Kapjen e mediave, shantazhin, ndikimin e gjyqtarëve, influencimin dhe gjithçka tjetër të kësaj natyre që Dardan Nuhiu thotë se e bën, siç u kuptua nga përgjimet e publikuara në Shqip.com si pjesë e Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”, vetë Nuhiu tash i çuan “broçkulla e pallavra”.

Kështu ai ka thënë në një prononcim të shkurtër me shkrim për Shqip.com.

“Këto broçkulla e pallavra”, shkruan ai, si përgjigje për pyetjet e mediumit, duke refuzuar të shtojë më shumë.

Dardan Nuhiu është drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës qysh nga viti 2011 dhe ai po vazhdon të jetë edhe pas publikimeve.

Përkundër reagimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe thirrjes së saj për veprim që të përfshirët në këtë skandal të japin përgjegjësi, asnjë nga institucionet kompetente nuk kanë reaguar ende.

Ndaj Nuhiut jo që nuk janë iniciuar procedura, por ai as nuk është suspenduar.

Agjencia ku është drejtor Nuhiu funksionin brenda ministrisë së Financave, por ministri ende nuk ka reaguar.

Përveç ministrit, që është kryetar i Bordit, nuk kanë reaguar as nga Ministria e Brendshme, Policia, Prokuroria, Dogana apo Banka Qendrore e Kosovës.

Të gjithë në heshtje.

Asnjë nuk u janë përgjigjur as mesazheve elektronike e thirrjeve të redaksisë.

Një nga institucionet që Nuhiu thotë se kontrollon dhe emëron njerëz brenda është edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Nga ATK, drejtori i së cilës është një nga anëtarët e bordit në NjIF, nuk kanë dashur t’i komentojnë pretendimet e Nuhiut, përveç se kanë thënë se “asnjë institucion, organizatë apo individ nuk ka ndikim në emërimet e stafit të ATK-së, përveç procedurave ligjore”.

“Të gjitha rekrutimet në ATK bëhen përmes konkurseve publike, bazuar në ligj. Për ndryshe, si institucion nuk komentojmë bisedat e askujt që qarkullojnë nëpër media. Mirëpo, kushdo që ka fakte për çfarëdo shkelje ligjore nga kushdo, mund t’i adresoj tek organet kompetente”.

Ndryshe, përveç institucioneve kompetente që nuk kanë ndërmarrë ende asgjë në lidhje me rastin e Nuhiut, apo të prokurores Shemsije Asllani, biseda e së cilës është publikuar në pjesën e parë të Dosjes, reagim nuk ka pasur as nga mediat.

Shumica e mediave, përjashto disa siç është Kallxo, nuk e kanë publikuar as reagimin e ministres Haxhiu.

Shqip.com do të vazhdojë publikimin e radhës nesër, e mërkurë, me fillim në orën 10:00, në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”.

Futuni në rubrikën N’shënjestër dhe ndiqni në mënyrë kronologjike publikimet në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”