Daja: Dinamo ekip shumë i fortë
Pas humbjes minimale me Victoria Plzen, Ballkani do të përballet të enjten në Kosovë ndaj Dinamos së Zagrebit.
Në prag të takimit të Conference League, ka dalë përpara mediave trajneri i skuadrës nga Suhareka, Ilir Daja.
Ai ka pranuar se me Dinamon do të jetë vështirë.
“Për ecurinë e Dinamos dhe nivelin që ka, nuk duhet folur shumë, pasi është një klub me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe është përfaqësuesja më e mirë e kampionatit të Kroacisë, një vend që ka qenë edhe nënkampion bote. E kemi ndjekur ecurinë e tyre, pasi kemi pasur më shumë kohë dhe mund t’u them se janë favoritët kryesorë, bashkë me Viktorai Plzen, për të kaluar grupin, por duke pasur edhe suportin e tifozëve tanë, besoj që nuk do të kemi nevojë për motivim dhe do të menaxhojmë emocionet, për të bërë një ndeshje të mirë. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë që nesër të bëjmë diçka të bukur”, ka deklaruar trajneri Daja.
Probleme ka thënë se ka edhe me lojtarët e lënduar.
“Kemi një lojtar që është në dyshim dhe do ta ndajmë mendjen në seancën e sotme. Bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm, që shpresojmë ta kemi nesër, por edhe dje kemi punuar pa e llogaritur në formacion. Mendoj që e kemi gjendjen e mirë si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik, pasi kemi ritëm shumë të mirë në kampionat, me 6 fitore dhe një barazim. Kemi bërë shumë mirë në kampionat dhe shpresojmë që atë ritëm ta tregojmë edhe ndaj Dinamos”.
Pavarësisht rezultatit, Daja deklaron se pjesëmarrjë e Ballkanit në këtë kompeticion ka një vlerë të madhe.
“Luajmë për herë të dytë në grupet e Conference League dhe në aspektin e eksperiencës jemi shumë më mirë. Megjithatë na janë larguar shumë lojtarë cilësorë në një afat shumë të afërt, pasi nuk kemi më Rrahmanin e Korenicën që janë larguar dhe Emërllahun të dëmtuar. Kanë qenë liderë të skuadrës, ndaj është e vështirë t’i zëvendësosh. Kemi eksperiencë më shumë krahasuar me një vit më parë, por lojtarët që kanë ardhur, duan kohën e vet që të zëvendësojnë këto pika të forta që kemi pasur në ekip”, deklaroi ai.
Megjithatë Daja është treguar i kujdesshëm kur ëshë pyetur nëse ai ka besim se Ballkani mund të kualifikohet edhe përtej fazës së grupeve.
“Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi futja në grupe dhe kalimi i tyre, do një analizë më të gjerë. Duhet të bëjmë hap gradual dhe jo të menjëhershëm. Sezonin e kaluar kemi qenë ekipi me koeficientin më të vogël në historinë e Conference League, por duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Ne punojmë për të bërë më të mirën e mundshme, për të përfaqësuar denjësisht futbollin e Kosovës”.
/Shqip.com