Lajme Ballkan

Daçiqi nuk beson se referendumi do të mbahet në Kosovë

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se “nuk është optimist” sa i përket mundësisë së mbajtjes së referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Sipas tij, vendimi i Kosovës për të mos e lejuar referendumin brenda territorit të saj, “është vetëm një tregues tjetër i rolit të Prishtinës në pengimin e çfarëdo dialogu”.

Ai për telivizionin serb “Prva” ka thënë se referendumi është “test” i rëndësishëm për Serbinë.

Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Lidhur me këtë, Ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në takim me kryeministrin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Serbia po organizon referendum për ndryshime kushtetuese dhe qëllimi i tyre ishte që përmes OSBE-së të organizonin referendum edhe në territorin e Kosovës, diçka e papranueshme për Qeverinë e Kosovës, e cila e ka kundërshtuar organizimin.

Në kundërshtim të mbajtjes së referendumit në Kosovë, Qeveria e Kosovës dhe institucionet të tjera kanë qenë edhe pas kërkesë së ambasadorëve të QUINT-it që votimi të lejohet./SHQIP.com