Cikalleshi pensionohet nga Kombëtarja Shqiptare
Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare pas një karriere të gjatë me Shqipërinë dhe një kontribut të madh për fanellën kuqezi ndër vite.
Cikalleshi është një nga futbollistët me më shumë paraqitje në Kombëtare teksa numëron 60 ndeshje me fanellën kuqezi si edhe 13 gola të shënuar.
Gjithashtu, sulmuesi ka qenë pjesë e Shqipërisë edhe në Evropianin historik “Francë 2016”, pjesëmarrja e parë e kuqezinjve në finalet e një turneu madhor.
Ai debutoi me fanellën kuqezi në miqësoren Shqipëri-Rumani, të luajtur më 31 maj 2014, ndërsa paraqitja e tij e fundit me Kombëtaren ishte në miqësoren Suedi-Shqipëri të 25 marsit 2024 të luajtur në Stokholm.
Federata Shqiptare e Futbollit ka falënderuar lojtarin për kontributin e dhënë dhe djersën e derdhur në fushën e lojës me fanellën kuqezi.
Një kontribut i madh dhe i jashtëzakonshëm i Sokol Cikalleshit, i cili ka qenë pjesë e rezultateve dhe arritjeve historike të Kombëtares shqiptare.
/Shqip.com