Lajme

Çfarë ka ndodhur me të dhënat e TIMS? Balla flet për herë të parë: Sistemi, 100% i sigurtë!

Disa javë më parë, në rrjetet sociale dhe portale qarkulluan lajme sikur sistemi TIMS ishte sulmuar nga brenda Policisë së Shtetit dhe të dhënat ishin marrë. Aludimet ishin gjithashtu se këto të dhëna sensitive që lidhen me hyrjet dhe daljet e qytetarëve në pikat e kalimit kufitar, kishin rënë në duart e segmenteve të krimit.

Edhe pse moria e lajmeve të pakonfirmuara vijonte të përhapej si epidemi, një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit mungoi gjithmonë. Situatë kjo që sa vinte dhe shtonte akoma më shumë dyshimet për atë që mund të kishte ndodhur. Nëse konfirmohej ndërhyrja në sistemin TIMS dhe të dhënat kishin përfunduar në duart e njerëzve të dyshimtë, do të ishim përpara një skandali të përmasave të mëdha.

Mirëpo, ditën e sotme, ministri i Brendshëm, Taulant Balla duket se i ka vënë “kapak” të gjitha atyre hamendësimeve që dominuan rrjetin prej 2 muajsh. Balla raportoi te Komisioni për Çështjet Europiane dhe u pyet nga deputetët se çfarë ka ndodhur me TIMS. Ai tha se të dhënat e sistemit janë 100% të mbrojtura dhe nuk ka rrjedhje të tyre.

“Dua të garantoj se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem. I fortifikuar dhe falë mbështetjes së partnerëve. Dua të vlerësoj asistencën e SHBA-ve. Dua të falënderoj partnerët. Gjatë verës së vitit të kaluar sistemi u sulmua, por dua t’ju garantoj se sistemi është 100 % funksional. I kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes policore, përfshirjen e menjëhershme të SPAK. Ka qenë dhe rekomandim nga ana e tyre që kjo çështje të ndiqej nga Prokuroria e Tiranës. Garantoj çdo qytetar shqiptar dhe të huaj, ka hyrë apo ka dalë nga vendi, kemi një qendër të operimit të të dhënave, që ka standardet më të mira. Pretendimet të verifikohen edhe nga prokuroria. Në aspektin tim si ministër i Brendshëm nxis që të hetohen çdo rast nga prokuroria. Rezulton se nuk ka pasur asnjë kopjim apo rrjedhje. Kur kthehet balta në piedestal, flitet për përdorim të të dhënave. Kjo është e pamundur! Sapo prokuroria të mbyllë hetimet, do t’ju informoj dhe do të vij këtu”, ka deklaruar Taulant Balla.

Mbetet për t’u parë nëse debati për TIMS do të shuhet, apo denoncuesit kanë “as-in nën mëngë” ç’ka mund të kthente përmbys optimizmin e ministrit Balla. Kjo pasi shqetësimi në opinionin publik është i madh, pasi flasim edhe për të dhëna tejet sensitive rrjedhja e të cilave mund të na cconte deri në cenimin e sigurisë kombëtare.

/Shqip.com