Çështja e dinarit / Osmani flet me ambasadorët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në presidencë shefin e Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, atë të Italisë Antonello De Riu dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë, Mathias Conrad, me të cilët kanë folur për çështjen e zgjedhjeve në Veri dhe peticionit dhe gjithashtu edhe për dialogun dhe masat e BE-së ndaj Kosovës.
Siç njofton Presidenca, Osmani ka ritheksuar se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi.
Në takim me ambasadorët, Presidentja Osmani ka thënë se është e nevojshme që menjëherë të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.
Sipas Osmani, Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje.
Heqja e masave, sipas saj, do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta.
Osmani në takim gjithashtu ka shprehur zhgënjimin e saj me faktin që Serbia ende s’po përballet me përgjegjësi për “nxitjen e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe për sulmin e agresionin kundër Kosovës në shtator të vitit të kalaur”
Sipas Osmanit kjo mund ta nxisë Serbinë që t`i shtojë veprimet destabilizuese në rajon.
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe çështjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së, me ç’rast Presidentja ritheksoi se “është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë”.
Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit të Kosovës.
/Shqip.com