Kulturë Kino

Çeku takohet me komunitetin artistik, diskutojnë për zhvillimin e kulturës së leximit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka mbajtur takim me komunitetin artistik në fushën e librit.

Në këtë takim është diskutuar rreth mbështetjes financiare për librin, si dhe ndryshimet që mund të bëhen gjatë vitit 2022, për të përmirësuar gjendjen në këtë fushë.

Çeku, gjatë diskutimit, kishte deklaruar se duhet të ndryshohet krejtësisht qasja për të gjetur modelin më të mirë dhe përcaktimin e kritereve për mënyrën se si dhe në çfarë mënyre të mbështetet botimi i librave, duke e ndryshuar komplet politikën e financimit të librit.

Sipas, njoftimit të MKRS-së, ndër propozimet që u bënë për ndryshimet e mundshme në këtë fushë në lidhje me politikat e veprimtarisë botuese është tek qasja e blerjes dhe përkrahjes së librit, stimulim më të madh të përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja dhe anasjelltas, si dhe vlerësimi i cilësisë së këtyre përkthimeve.

Në diskutim është propozuar, që secili fitues i çmimit të ministrisë të përkthehet së paku në një gjuhë të huaj dhe kjo të rregullohet me ligj.

“Të rritet shpërndarja e librit dhe të bëhet furnizim më i madh i bibliotekave me libra, sidomos bibliotekat shkollore. Lista e furnizimit të librave në biblioteka të përditësohet me tituj të autorëve të rinj, sepse ka biblioteka që ende i kanë listat e vjetra të titujve që posedojnë”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu u sugjerua edhe një pako e rimëkëmbjes për botuesit, sepse është konstatuar si e nevojshme një gjë e tillë, për të cilën ministri tha se Qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë, sepse është një propozim i mirë që mund të realizohet.

Ndërkaq, sipas Ministrit Çeku, mbështetja financiare për librin, ndonëse nuk është edhe aq substanciale, mirëpo ka pasur rritje, ku për vitin 2021 ka qenë afër 900 mijë euro.